Analize

Pasojat e pandemisë do t’i vuajnë breza të tërë

Bota po shkon dalëngadalë drejt rihapjes. Ndërsa shtete të ndryshme heqin njëra pas tjetrës masat e izolimit dhe inkurajojnë bizneset që të hapin dyert për publikun, zyrtarët e shëndetësisë po paralajmërojnë se të gjitha vendet kanë ende mungesë të madhe të testimit në masë dhe gjurmimit. Një valë e dytë, vdekjeprurëse e shpërthimit të koronavirusi është parashikuar të godasë SHBA-në dhe Europën gjatë vjeshtës. 

OKB ka bërë thirrje që të gjitha vendet mbeten të mbyllura derisa të regjistrojnë një rënie të konsiderueshme të të infektuarve, të kombinuara me nisma të reja për të zgjeruar aftësitë e testimit. Sidoqoftë, shumë vende kanë zgjedhur të hapin dyert mes të pandemisë, ndërkohë që shoqëria po kthehet në një formë të re të normalitetit.

Si mund të duket ky normalit i ri? Çfarë mund të presim nga qeveria? Si mund të ndikojë kjo pandemi në jetën tonë për dekadat që do të vijnë?

"Ne të gjithë jemi përpjekur të parashikojmë se si mund të duket bota jonë pas pandemisë”, tha Dr Saralyn Mark, një endokrinologe dhe këshilltare e lartë mjekësore në Zyrën për Shëndetin e Grave në Departamentin Amerikan të Shëndetit. "Ne si qënie përshtatemi, ne evoluojmë dhe u përgjigjemi sfidave.”

Dr Mark, e cila kaloi kohë në Azi pas shpërthimit të SARS të vitit 2003, parashikoi që Perëndimi me siguri do të marrë shumë nga masat e marra  nga shoqëritë në Kinë dhe vendet e tjera të Azisë.

"Të gjithë filluan të mbanin maska ​​për fytyrën, veçanërisht ata që kishin probleme imuniteti," tha ajo, duke shtuar se maskat fillimisht ishin një koncept "shumë i çuditshëm" për njerëzit në të gjithë Azinë. "Praktika e të mbajturit një maskë për fytyrën gjatë shpërthimeve sezonale është bërë e zakonshme në shumë qytete dhe periferi të mbushura me njerëz nëpër Azi", thotë Dr Mark.

"Tani, ne të gjithë jemi duke u përshtatur me këtë normalitet të ri, madje po u veshim edhe kafshëve shtëpiake maska ​​për fytyrën," tha ajo.

Marrëdhëniet e tensionuara

Krisja e marrëdhënieve gjatë karantinës është një fenomen që ka prekur në fakt mbarë globin. Ekspertja e marrëdhënieve Lisa Brateman thotë se shume amerikanë kanë qenë në kontakt me avokatë divorci gjatë karantinës.

"Ajo që kam vërejtur në tre javët e fundit është që çiftet shkojnë në dy rrugë në karantinë: disa bëhen më të afërt dhe disa  i kthejnë kurrizin e njëri-tjetrit, "tha ajo. "Unë gjithashtu po punoj me çifte që kanë pasur një marrëdhënie të vështirë sepse gjërat që nuk po funksiononin dhe janë përkeqësuar duke qenë sëbashku 24/7."

Zonja Brateman tha që shkalla e divorcit në mbarë botën ka të ngjarë të fillojë të rritet ndjeshëm në rreth tre muajt e ardhshëm, kur njerëzit të mund të konsultohen me avokatët dhe të largohen nga partnerët e tyre.

Por karantina ka të ngjarë të prekë edhe të rinjtë e pamartuar, të cilat pritet të bëhen shumë më të kufizuar dhe skeptikë kur bie fjala tek jeta romantike. Brateman parashikoi që edhe gjeneratat e reja do të përballen me pasoja të rënda për shkak të pandemisë.

"Jemi në një fazë kur njerëzit kanë frikë t’u afrohen  njëri-tjetrit. Për një kohë të gjatë më pas, njerëzit do të shohin njëri-tjetrin dhe do të mendojnë: "A jam i sigurt? A duhet t’i afrohem?"

Të drejtat e njeriut në rrezik për breza

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar se masat e marra gjatë pandemisë së koronavirusit "nuk duhet të jenë një armë që qeveritë të mund t’i përdorin për të kontrolluar popullsinë apo për të përjetësuar kohën e tyre në pushtet".

Në shumë shtete po ndodh aktualisht çmontimi i sundimit të ligjit dhe të lirive politike, gjë që me sa duket po trondit edhe demokraci dikur të qëndrueshme. Kjo u nënvizua edhe dje nga Indeksi i ri i Transformimit Bertelsmann (BTI). Në të gjithë botën, ka shenja të një rënieje në standardet demokratike siç janë zgjedhjet e ndershme, liria e shtypit dhe ndarja e pushteteve në një shtet. Sipas studimit, qeveritë në Brazil, Indi dhe Hungari, ndër të tjera, po nxisin në mënyrë aktive dobësimin e demokracisë.
Efektet e pandemisë së Covid-19 kërcënojnë ta intensifikojnë këtë zhvillim. Autorët e studimit paralajmërojnë se këto pasoja mund të përdoret nga krerët e shteteve dhe qeverive në të gjithë botën për të konsoliduar strukturat autoritare. Si shembull, ata japin ligjet hungareze të emergjencës me një eleminim të përkohshëm të ndarjes së pushteteve. Lufta kundër Covid-19 nxit “tendencën drejt një ekzekutivi të fortë”, thuhet në studimin e Fondacionit Bertelsmann. Mungesa e besimit të qytetarëve te qeveria dhe mungesa e udhëheqjes politike janë gjithashtu parakushte të këqija për menaxhimin e suksesshëm të krizave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë