Ngjarje

(Pa)siguria në plazhe / Eksperti Metalla: Institucionet përgjegjëse, gjeneza e ngjarjeve

Ngjarja e djeshme (2 gusht) e Himarës ku një vajzë 7 vjeçare humbi jetën pasi u godit nga skafi, nuk ishte e papritur sipas ekspertëve.

“Institucionet përgjegjëse të cilat nuk e kanë bërë punën në nivelin e duhur janë gjeneza nga ku zë fill zinxhiri i gabimeve”, thonë ata.  

Osman Metalla, ekspert i të drejtës detare dhe njëkohësisht ish-Drejtor i Politikave të Transportit Detar thotë për Gazetasi.al se problemi nuk qëndron te kuadri ligjor por tek zbatimi i tij dhe tek kultura që kanë përdoruesit e mjetit.

Prof. As. Dr. Osman Metalla është profesor në Departamentin e Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë, ish-Drejtori i Politikave të Transportit Detar dhe ekspert i të drejtës detare

“Baza ligjore është shumë e plotë. Janë të përcaktuara në detaje kërkesat për plazhet dhe kërkesat për stacionet e ofrimit të këtyre shërbimeve turistike. Ka rregulla të detajuara për mjetet rekreative për operimin e tyre. Të gjithë drejtuesit duhet të jenë të pajisur me patentë dhe dëshmi të operimit të këtyre mjeteve, çka nënkupton që janë marrë të gjithë njohuritë e domosdoshme. Duhet të zbatohet ligji dhe institucionet duhet të bëjnë punën e tyre”, thotë Metalla për Gazetasi.al.

Institucionet përgjegjëse sipas tij nisin që me Ministritë që kanë në varësi Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Policinë Kufitare dhe Operatorin e plazhit.

Pushteti vendor, “pronar” i vijës bregdetare

“Pushteti vendor është pikënisja e funksionimit të stacioneve të plazhit pasi ai është pronar i vijës bregdetare ku ushtron juridiksionet një njësi e caktuar vendore dhe natyrisht ai ka të drejtën të japë me kontratë përdorimin e plazheve.

Natyrisht në përdorimin e plazheve ato përpara se të nënshkruajnë kontratën duhet të binden për të gjithë plotësimin e kushteve e kërkuara”, vijon Metalla për Gazetasi.al.

Operatori që kërkon të përdorë plazhin për shfrytëzim dhe operim të mjeteve lundruese është shumë e rëndësishme që sipas tij të jetë në përputhje 100% me të gjitha kërkesat që parashikon legjislacioni shqiptar dhe VKM-të.

Në të kundërt, shton Metalla, ngjarje të tilla do të përsëriten sërish.

Mjetet nuk mund të bregëzohen kudo

Ajo që po shqetëson prej kohësh pushuesit është afërsia me bregun e mjeteve të tilla ujore.

“Mjete të tilla të cilat janë të pajisura me motor duhet të bregëzohen vetëm në zona të caktuara, në porte turisike të njohura dhe të ndërtuara me qëllim ose në struktura bregdetare të posaçme që mund të jenë të lëvizshme, të ndërtuara në vende që janë miratuar nga institucionet përkatëse”, shton Metalla për Gazetasi.al ndërsa thekson se skafe dhe jet ski të ndryshme duke filluar nga një distancë 400 m nga bregu nuk mund të lëvizin me shpejtësi më të madhe se 3-4 milje në orë.

Marrja e licencave të bëhet përmes një procedure të mirëpërcaktuar

“A kanë patentë drejtuesit dhe si e marrin lejen e drejtimit?”, ishte pyetja që si ngahera pas episodeve të tilla, edhe dje përsëriti vetveten.

Eksperti shpjegon për Gazetasi.al që ka një sërë hapash të cilat duhet të ndiqen që të merret leja e drejtimit e cila nuk mund t’i jepet kujtdo.

“Ka qendra trajtimi që ofrojnë kurse përgatitje për drejtuesit e mjeteve lundruese. Ata i nënshtrohen seancave teorike dhe praktike të përdorimit të tyre. Më pas i ushtrohen një testi pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe pasi plotësojnë të gjithë kërkesat, pajisen me lejen.

Nëse nuk ndiqen të gjithë këto hapa, aktivitetet në hapësirën tonë detare nuk do të rregullohen”, shton ai ndër të tjera.

Rregullat, të njëjta për të gjithë shtetet, Shqipëria i shkel me të dyja këmbët

“Rregullat janë të ndërkombëtarizuara si për Greqinë, si për Kroacinë, Shqipërinë e më gjerë.

Çështja është tek zbatimi i tyre.

Në shqiptarët ndryshojmë në mentalitet, në mënyrën si operojmë, komunikojmë e veprojmë”, thotë Metalla për Gazetasi.al ndërsa shton se duhet një fushatë ndërgjegjësuese ose penalitete në mënyrë që të aktivizohen të gjitha strukturat shtetërore që kanë ushtrimin e të drejtës dhe legjislacionit në det në mënyrë që edhe në Shqipëri masat të zbatohen si në shtetet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë