Ngjarje

Video/ Tragjedi në det, komisari i policisë godet për vdekje me skaf 7-vjeçaren në plazhin e Potamit

Gazeta Si - Një fëmijë 7 vjeçe është goditur për vdekje nga një skaf, i cili drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës mesditën e kësaj të marte në plazhin e Potamit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:00, ku Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, duke drejtuar mjetin lundrues, dyshohet se ka humbur kontrollin.

Për pasojë, skafi ka goditur vajzën e mitur, i cila për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Mjeti lundrues, tip gomone me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 metra me emrin "Nëna 154", ka pasur në bord dy persona, Tasen dhe një grua.

Fëmija ishte duke u larë në breg të detit, ndërsa skafi ka thyer rrethimin e sigurisë, pasi ka humbur kontrollin e mjeteve dhe ka goditur fatalisht 7-vjeçaren.

Arjan Tase është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.

Në fakt, komisari nuk është një emër i panjohur për mediat, pasi më herët ka mbajtur më herët postin e shefit të Komisariatit të Himarës.

Në janar të vitit 2021, Tase u arrestua nga policia për shpërdorim detyre, pas një aksioni anti-kanabis të koduar “Hapësira”.

Së bashku me shefin e krimeve Artur Veshaj ata u akuzuan se lejuan kultivimin e kanabisit në zonën e Vlorës.

Mirëpo, prokuroria nuk mundi të faktojë akuzat ndaj tyre. Ai u rikthye në detyrë dhe më pas është transferuar në Elbasan me gradën komisar.

Ky është rasti i tretë brenda një muaji që skafet në plazhet shqiptare përplasin pushuesit Pak ditë më parë, një skaf doli nga uji dhe goditi një çift, të cilët po pushonin në shezlong në plazhin e Jalës.

Të dy pësuan dëmtime, por më së shumti djali, i cili doli nga rreziku në spital vetëm para pak ditësh ku ndodhej në reanimacion në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Një tjetër rast i rrezikshëm ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar i cili ishte duke notuar në afërsi të bregut. 

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka bërë me dije se ka nisur hetimet pasi gomonia ka përplasur një fëmijë, duke i marrë jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë