Drejtësia

Arjan Tase mbërrin në Gjykatën e Vlorës për vdekjen e të miturës në Himarë

Gazeta Si - Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, efektivi Arjan Tase, i cili më 2 gusht 2022, vrau me skaf vogëlushen 7 vjeçare Jonada Avdia.

Prokuroria ka ngritur akuzën e "vrasjes me dashje" ndaj Arjan Tases i cili deri ditën e tragjedisë mbante postin e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndryshe nga akuza që kishte depozituar policia që ishte "vrasje nga pakujdesia"

Kështu, situata për Tasen mund të rëndohet, pasi nëse me akuzën për “vrasje nga pakujdesia” rrezikonte, nga gjobë deri në 5 vite burg, tani rrezikon deri në 10-20 vite burg.

Akuza e Prokurorisë së Vlorës i është paraqitur tashmë edhe Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, në të cilën nesër (e premte 5 gusht 2022), do të mbahet seanca gjyqësore në 10:30, ku do te vendoset masa e sigurisë per ish komisarin e Himarës.

Si prova për të mbështetur këtë akuzë, është dhe fakti që Tase kishte patentë për mjetin ujor dhe dinte shumë mirë rrezikun që paraqet lundrimi i këtyre mjeteve në breg të detit për qytetarët.

Gjithashtu efektivi dinte rregullat që nuk duhej të shkelte, njëra prej tyre dhe fakti që ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit.

Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi zbarkoi në breg familjarët e tij në bord, ai kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur.

Nga këto veprime, 15 metra larg bregut, Tase ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonada Avdiun, duke i shkaktuar humbjen e menjëhershme të jetës.

Gjithsesi, seanca e së premtes pritet të qartësojë akuzën zyrtare për momentin ku ndodhën hetimet.

Ndërsa ndaj zinxhirit drejtues të policisë kufitare të shkarkuar pas ngjarjes, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë