Ngjarje

Tragjedia e Himarës / Udhëzime dhe ligje që nuk i respekton asnjë në det

Gazeta Si - Një udhëzim i përbashkët me numër 279, që i përket korrikut të një viti më parë, qartëson detyrat dhe përgjegjësitë për mjetet lundruese qofshin ato turistike apo edhe të argëtimit.

I shtjelluar me detaje për proces-verbalet për bllokimin e mjetit, masat që vendosen, deri në konfiskim, dy ministra, ai i Brendshëm Bledar Çuçi dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u duk se i vunë pikat mbi "I" për të shmangur incidentet e për të ndëshkuar të pandëshkueshmit.

Por edhe ky vit ishte tragjik nga aksidentet ujore dhe sërish viktimat, të dëmtuarit apo si fëmija 7 vjeç që humbi jetën, u shkaktuan nga mos zbatimi i rregullave të qarkullimit ujor.

Por edhe nga mos zbatimi i detyrës prej institucioneve të ngarkuara për të ofruar plazhe të sigurta, në të cilat askush siç kërkon ligji nuk e shkel perimetrin e 500 metrave vijë bregdetare, aq sa i takon pushuesit.

Pika pesë e këtij udhëzimi, urdhëron që në rastet kur gjatë kontrollit të mjetit lundrues, konstatohet se drejtuesi, pronarët apo bashkëpronarët e mjetit, janë në shkelje të detyrimeve, përveç masave administrative (gjobës), për shkeljen e konstatuar mjeti shoqërohet në stacionin e policisë kufitare.

Gazetasi.al u interesua për të mësuar se sa është numri i masave të llojit gjobë të vendosura gjatë këtij sezoni dhe nuk mori asnjë përgjigje, ashtu sikundër as për masat e heqjes së dëshmisë së aftësisë dhe për mjetet e bllokuara.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, njoftoi se jo vetëm referoi për akuzën e vrasjes nga pakujdesia të vogëlushes Jonada Avdia, por që bashkë me të po hetohen edhe pesë zyrtarë të lartë të policisë lokale.

Kupola e Policisë Kufitare të Vlorës, shefi i Komisariatit dhe ai i Krimeve në Himarë, së bashku me shefin e stacionit të Postës Policore në Dhërmi, janë vënë nën hetim për shpërdorim detyre.

HETIMI DHE LIGJET QË NUK U ZBATUAN

Teksa pritet që ish-komisari i policisë të dalë përpara gjykatës për vrasjen aksidentale të 7-vjecares, një çështje që do të përfaqësohet nga prokurorja e Vlorës, Eranda Laze, AMP këmbëngul se ka sekuestruar të gjitha provat e mundshme.

I sekuestruar është edhe mjeti lundrues që i përkiste të afërmit të policit, tanimë i shkarkuar nga detyra.

Por policia thotë në rrugë jo zyrtare, se Arjan Tase dispononte leje drejtimi dhe se ndërkohë, ai hyri në perimetrin e Potamit, duke shkelur rregullat dhe njëkohësisht edhe duke mos respektuar korridoret e lundrimit, që kontrollohen nga njësia vendore. 

Duke u konsultuar me ligjin për turizmin, Policinë e Shtetit dhe rojës bregdetare, pavarësisht se gjatë këtyre javëve shfaqen aktive, aksidenti i Potamit nxori në dritë sërish mos koordinimin midis këtyre institucioneve.

Vrasja nga pakujdesia e të miturës, ishte aksidenti i tretë ujor për këtë sezon vere, ku i rëndë ishte edhe ai i ndodhur në brigjet e Jalës me të plagosur  Agostin Sefën.

Një aksident, pas të cilit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, firmosi një udhëzim, duke kërkuar një zgjerim të vijës bregdetare, që duhet të përkthehej në një siguri më të lartë të qytetarëve.

“Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale, duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative”. 

UDHËZIMI

Ndonëse numri një i policisë kërkoi një koordinim midis Policisë Kufitare dhe policisë vendore, rezulton se diçka e tillë nuk ndodhi në rastin e vrasjes aksidentale të 7-vjeçares.

Dhe këtë e thotë paraprakisht Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila hapi dosjet ndaj zyrtarëve lokalë.

Rezulton se Policia Kufitare nuk ishte duke patrulluar dhe as Kriminalja, por as e Rendit, ashtu sikundër duhej për të marrë masa në det për personat që shkelin vijën bregdetare, duke plagosur pushuesit dhe duke i rrezikuar ata.

Ish-komisari Tase, kapërceu 500 metrat në një hapësirë pa paralajmërim për përdoruesit detarë dhe 15 metra pasi zbriti në tokë të afërmit, gjatë tentativës për t’u kthyer në det të hapur, ai goditi aksidentalisht fëmijën që kishte ardhur me pushime në Shqipëri.

ÇFARË THOTË LIGJI

Konkretisht, detyrimet e institucioneve  që janë nëntë të tilla të ngarkuara për të planifikuar dhe kontrolluar sigurinë në plazhe, rezulton se thjesht edhe për këtë sezon kanë firmosur shkresa, por pa marrë përgjegjësi reale në terren.

Gazetasi.al u konsultua me një paketë ligjesh, e cila ekspozon paaftësinë dhe neglizhencën e autoriteteve, pasi ligji urdhëron që gjatë muajve, askush nuk mund t’i afrohet bregut me mjete lundruese në distancën e 500 metrave. 

Në vend të parë si institucion përgjegjës, është drejtoria detare, e cila kryen pajisjen me patenta dhe kontrollin detar.

Ndërsa më pas, ministria e Brendshme, që përmes policisë që ka në varësi, duhet të ushtrojë kontroll real për dokumentin e drejtimit të “Jet Ski”-ve, njësoj siç patrullon në rrugë dhe kontrollon drejtuesit e automjeteve.

Për të vijuar me rojën bregdetare dhe ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, si dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Ligji përfshin në këtë grup pune edhe ministri të tjera, si ajo e Shëndetësisë, por edhe të Kulturës dhe ministrinë e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave.

Një ligj tjetër, ai me numër 43/ 2020, ngarkon ministrinë e Turizmit për kontrollin e çdo mjeti, që sipas Kodit Detar, duhet të gjobitet prej tyre nga 100 mijë lekë, deri në 500 mijë lekë nëse ushtrohen aktivitete detare jashtë zonës së miratuar.

Por në të vërtetë, gjithë këto urdhra dhe ndalime, nuk kanë krijuar veçse një kakofoni ligjesh, që nuk zbatohen dhe që mbeten veç se në letër.

Gazetasi.al, lexoi paketën tjetër ligjore që cakton edhe rregullat e aktivitetit me motor (“Jet Ski”).

Në parim, aty urdhërohet që ky aktivitet kryhet vetëm nga operatori turistik dhe jo nga individë që nuk disponojnë patentë lundrimi të posaçme.

Operatori duhet të jetë i certifikuar nga ministria tjetër e linjës, që është ajo Turizmit dhe Mjedisit, e cila ka rol primar dhe po aq të rëndësishëm sa edhe policia lokale dhe kufitare, e cila mban përgjegjësi për kontrollin e territorit.

“Personi që drejton një motor ‘Jet Ski’, duhet të jetë i pajisur me leje drejtimin përkatës nga Drejtoria e Përgjithshme Detare”, - urdhërohet më tej në legjislacion, ç’ka zgjeron kompetencat e një institucioni të tretë, i cili në rastin e vrasjes së 7-vjeçares, si edhe të tjerët, ka rol domethënës dhe përgjegjësi.

Ligji e konsideron mos veprimin e autoriteteve për të kryer detyrën, si shpërdorim detyre, por të kontaktuar në telefon nga Gazetasi.al, edhe Policia e Vlorës, edhe Prokuroria e Rrethit, nuk ishin në gjendje të jepnin një përgjigje se kur do t’i nisin hetimet për të gjithë ata përfaqësues të shtetit, të cilët nuk e kryen detyrën.

Gazetasi.al, mëson ekskluzivisht se megjithëse dy institucionet primare janë ministria e Brendshme dhe ministria e Mjedisit, kjo e fundit nuk i është përgjigjur kërkesës së uniformave blu për të dërguar inspektorë dhe grupe pune përgjatë vijës bregdetare.

Ndonëse në rrjetet sociale njoftohet se siguria e vijës bregdetare garantohet në partneritet dhe numërohen madje edhe gjobat e vendosura prej Ministrisë së Mjedisit, një burim tepër i sigurt i Policisë Kufitare, i tregoi Gazetasi.al, se disa herë është kërkuar prezenca e grupeve të tilla për marrjen e gjobave, ndaj individëve që shkelin vijën bregdetare, por nuk është marrë asnjë përgjigje.

Përkundrazi, në rrugë informale, zyrtarët thonë se janë informuar prej kësaj ministrie se nuk kanë grupe pune në terren.

Por ky problem nuk u bë asnjëherë publik për të ekspozuar deficencat e institucioneve, që në fakt lejojnë me mos veprim shkeljen flagrante të ligjit.

“Distanca më e afërt e lundrimit duhet të jetë 300 metra dhe asnjëherë më e vogël se 300 metra. Gjatë periudhës prill-nëntor, ‘Jet Ski’-të duhet të lundrojnë deri në 500 metra nga vija e bregut dhe jo më shpejt se 10 nyja. Gjatë afrimit dhe parkimit në tokë, shpejtësia duhet të ulet në tre nyja”, - thotë shprehimisht ligji.

Por mjafton të frekuentosh vijën bregdetare dhe është e sigurt se kjo pikë e nenit shkelet në mënyrë flagrante.

Gjithashtu, një tjetër institucion përgjegjës, është bashkia, e cila duhet të bëjë publike rrugë kalimet, pasi me ligj është e ndaluar të kalosh nga uji në pikat e kufizuara.

“Nisja dhe ankorimi i motorit të ujit, të bëhet vetëm në vend-bazimet e mjeteve të ujit dhe në korridoret e lëvizjes  së tyre të portit turistik, të pontilit apo të stacionit sezonal të ankorimit“, - urdhërohet në ligj, që në Potam, ashtu si në dhjetëra pika të tjera, nuk e respekton kush.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë