Nga Gazeta ‘SI’ – Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga Aeroporti i Rinasit njoftoi se qeveria shqiptare po planifikon krijimin e një Akademie Ajrore, me fokus rritjen e kapaciteteve njerëzore për të gjithë industrinë e Aviacionit Civil.
“Po punojmë për krijimin e akademisë ajrore, që do të adresojë të gjithë nevojat në kohë. Duke marrë parasysh iniciativën e Aviacioni Civil dhe qeverisë shqiptare kërkohet angazhimi nga të gjithë koncesionarët për të ndihmuar në këtë aksion, që do të japë mundësi të reja për punësimin në Shqipëri, një mundësi për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Ne do të kontribuojmë në qëndrueshmërinë dhe ekonominë e vendit tonë dhe nxitjen e turizmit.”, u shpreh ajo.
Gjatë fjalës së saj, Balluku prezantoi dhe pasagjerin e dhjetë miliontë, i cili vinte nga Holanda duke thënë se janë kaluar të gjitha parashikimet që kanë pasur ku bashkë me rritjen e pasagjerëve janë shtuar edhe investimet.
“Ne këtu në Shqipëri kishim nisur një strategji kombëtare të Aviacionit Civil. Duke pasur parasysh që vendi do të zhvillohej nga ana e turizmit. Vetëm pak muaj nga shpallja e kësaj strategjie arritëm të hidhnim hapa të rëndësishëm siç ishte aeroporti i Kukësit. Në vitin 2020 u përballëm me një pandemi që gjeti të papërgatitur të gjithë botën. Qeveria shqiptare u anatemua, u vu shumë në dyshim eksperienca, por që në hapat e parë u duk serioziteti përmes ndryshimeve që erdhën në aeroportin e Rinasit.
Qeveria shqiptare ndoqi një politikë shumë inteligjente duke ia dalë që nga vjeshta e vitit 2020 aviacioni të rikuperohej. Ne vetëm në 11 muaj kemi kaluar premtimin e dhënë për trefishin e numrit të pasagjerëve. Është një punë shumë e mirë nga Aviacioni civil por edhe nga aeroporti shqiptar dhe kemi arritur të realizojmë edhe nevojat e udhëtarëve që zgjedhin Tiranën.
Është arritur një shërbim ekselent në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, dhe duhet theksuar se teknologjia më e lartë ka sjellë edhe një rezultat më të shpejtë duke mos krijuar më radha. Kemi pasur projekte të mirëstudiuara, dhe që kanë maksimalizuar një rezultat shumë pozitiv. Sot janë në përdorim më shumë se 70 vendqëndrime avionësh. Janë katërfishuar skanerat e sigurisë… Performanca për sezonin veror është përmirësuar me 2.3 herë krahasuar me një vit më parë. Ne duhet theksuar se kemi një konkurrencë të përvitshme me veten tonë. Ne kemi një target të ri që besojmë do ta arrijmë, në 2025 me 12 milionë pasagjerë”, tha Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.