Politike

Covid, Meta ngre 12 pyetje për situatën, Rama: Mos fut hundët te punët e ekspertëve

ramametaGazetaSi

Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe për dijeni edhe të Kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit, ku i kërkon një rivlerësim tërësor të situatës së përgjithshme në vend të shkaktuar nga pandemia.

Presidenti e ka publikuar në faqen e vet zyrtare në Facebook letrën, me një shënim ku nuk kursen ironinë me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e quan “ende në detyrë”.

Në letrën në fjalë, Meta kërkon që Shqipëria të përshkallëzojë masat duke rritur testimin dhe gjurmimin e rasteve dhe ngre disa pyetje. Presidenti pyet nëse vendi i ka kapacitetet në burime njerëzore në sistemin e shëndetësisë për të zbatuar një strategji testimi dhe gjurmimi të rasteve në dritën e rritjes së tyre.

Po ashtu, Meta kërkon informacion se cilat janë masat dhe përpjekjet e bëra nga autoritetet për të aktivizuar mjekun e familjes si në nivel testimi, ashtu edhe në nivel diagnostikimi të pacientëve. Presidenti kërkon të dija gjithashtu se çfarë masash janë ndërmarrë për të rimbursuar shpenzimet për mjekim, apo kontroll të pacientëve që nuk shtrohen në spital, duke pasur parasysh, që sipas tij, këto shpenzime janë tepër të lartë për qytetarët.

Duke theksuar mbushjen e dy spitaleve Covid 1 dhe Covid 2, Meta kërkon informacion mbi kapacitetet respiratore të vendit, sa janë në dispozicion të të sëmurëve me Covid dhe sa janë në dispozicion për të sëmurët e tjerë.

Presidenti pyet gjithashtu nëse ka një koordinim, apo plan mes sektorit publik dhe spitaleve private për testimin, gjurmimin dhe kurimin e pacientëve. Pyetja tjetër që ngre Meta lidhet me vaksinën e gripit të stinës, Meta kërkon nga Ministria e Shëndetësisë si është organizuar ajo dhe sa për qind e popullsisë me risk të lartë është vaksinuar.

Meta pyet edhe për masat e marra për sigurimin e vaksinës së mundshme anti-Covid dhe nëse janë parashikuar fondet e nevojshme në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.

Në fund, Presidenti kërkon transparencë në lidhje me shpenzimet e bëra deri më tani në sektorin e shëndetësisë për të përballuar pandeminë dhe pyet se cilat janë instrumentet financiare që do të përdoren në vazhdim, pasi sipas tij, situata po përkeqësohet dita-ditës.

Presidenti e ka publikuar në faqen e vet zyrtare në Facebook letrën, me një shënim ku nuk kursen ironinë me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e quan “ende në detyrë”. Reagimi i kreut të Qeverisë ishte i menjëhershëm.

“Ilir ti s'ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s'po bën prej kohësh!”, shkruan Rama.

https://twitter.com/ediramaal/status/1321372731838025729

Kryeministri thotë se janë ekspertët ata që vendosin për hapat që duhen ndjekur për pandeminë, ndërsa vlerëson se situata nuk është jashtë kontrollit.

“Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!”, vijon më tej Rama.

Në fund, Kryeministri e mbyll reagimin e tij duke kërkuar përkrahje për Ministrinë e Shëndetësisë dhe stafin mjekësor që po përballet në vijën e parë me pandeminë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë