Politike

Pas tërheqjes së Hajdarit, “Bindja Demokratike” regjistrohet në Gjykatë

"Bindja Demokratike" do të krijohet pavarësisht deputetja PD-së, Rudina Hajdari deklaroi tërheqjen nga përfshirja e kësaj lëvizjeje të re politike.
Mësohet se sot në Gjykatë do të paraqitet zyrtarisht kërkesa për t'u regjistruar si subjekt politik së bashku me 3 mijë firmat e kërkuara.
Grupimi i kësaj lëvizjeje përbëhet nga përfaqësues brenda radhëve të PD-së, si Astrit Patozi, ish deputeti i PD-së, Ardian Kollozi dhe ish-këshilltarët e PD-së në bashkinë e Tiranës, Fabian Topollaj dhe Leonad Olli.
Fillimisht pjesë e kësaj lëvizje u përfol se do të ishte edhe ish-kryetarja e AMA-s, Endira Bushati, e cila ka qenë anëtare e Kryesisë së PD-së, por vetë ajo me anë të një postimi në Facebook e hodhi poshtë përfshirjen në këtë iniciativë të re politike.
Grupimi themelues ka zhvilluar një takim në periferi të Tiranës për të vendosur mbi modalitetet e tjera të këtij aksioni që pas regjistrimit të Gjykatë synon të realizojë dhe regjistrimin si parti politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Partia e re pritet të dalë me anë të një deklarate zyrtare për të shpjeguar arsyet e ndërmarrjes së kësaj nismeje politike.
"Bindja Demokratike" është lëvizja që fillimisht do të kishte si lidere kryesore deputeten Rudina Hajdari. Parashikohej që Hajdari të ishte kryetare e kësaj partie, ndërsa Patozi nënkryetar. Mes Hajdarit dhe Patozit u zhvillua një takim mbi përfshirjen e saj në këtë lëvizjeje.
Por Hajdari me anë të një postimi në Facebook mohoi përfshirjen në këtë lëvizje, duke i uruar asaj suksese.
"Është e kuptueshme se Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarte perëndimore do të ishte një iniciativë për t'u gëzuar.

Ajo që më bën përshtypje në kushtet e “psikiatrisë politike” ku jemi futur është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuse të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë", shkruan Hajdari në një postim në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë