Politike

Pas takimit me Bashën, Soreca: BE e qartë, dialog e jo dhunë në protestë

Bashkimi Europian kërkon dialog dhe mbi të gjitha që në protestën e nesërme të mos ketë dhunë. Ky ka qenë reagimi i ambasadorit të Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca menjëherë pas takimit të zhvilluar në kryedemokratin Lulzim Basha në selinë e PD-së.
“Fola me secilin dhe është mjaft e rëndësishme për të ndarë këto pozicione. BE ka qenë mjaft e qartë, i kemi shpjeguar liderit të PD dhe pozicionin tonë. Është e rëndësishme për të folur dhe diskutuar. Nesër është një ditë e rëndësishme, ne presim që të mos jetë e dhunshme dhe të ndiqen proceset demokratike”, deklaroi Soreca.
Ka qenë preciz diplomati i BE-së, i cili mbi të gjithë ka kërkuar që ditën e nesërme të mos ketë incidente të dhunshme në institucionin e Parlamentit, ashtu sikurse ndodhi më 16 shkurt përpara selisë së Kryeministrisë.
Bashkimi Europian ka dalë kundër bojkotit të Parlamentit dhe dorëzimit të mandateve, duke i kërkuar opozitës që beteja të zhvillohet brenda institucioneve.
“Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane. Ai është vendi ku duhet të diskutohen dhe të çohen përpara debatet mbi reformat dhe zhvillimet përkatëse. Parlamenti nuk duhet bojkotuar. Dëgjuam njoftimin nga partitë opozitare, që deputetët individualë do të heqin dorë nga mandatet e tyre aktuale. Çdo deputeti individual i takon të vendosë vet se çfarë do të bëjë me përgjegjësinë që kanë marrë para votuesve të tyre, për të mbrojtur pozitat dhe interesat e tyre në Parlament. Kjo është detyra e tyre themelore. Është e qartë, megjithatë, se heqja dorë nga mandatet është dukshëm kundërproduktive për Shqipërinë dhe shkon kundër interesave të qytetarëve për reforma”, do të deklaronte Soreca në një intervistë televizive në Top Channel.
Ndërsa po bëhet thirrje për një dialog mes opozitës dhe mazhorancës për zgjidhjen e këtij ngërçi të ri politik, duke iu drejtuar edhe një thirrje ultimative.
“Bojkotimi i Parlamentit nuk shkon në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ne ftojmë si qeverinë, ashtu dhe opozitën, që të angazhohen në diskutime konstruktive, me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale dhe të garantojnë që vendi të vazhdojë në rrugën e tij të reformave. Nuk ka kohë për të humbur. Koha është tani!”, theksoi Soreca.
Më herët në selinë e PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha pati edhe një takim me ambasadoren gjermane. Fokusi i takimit ka qenë nisma e opozitës për dorëzimin e mandateve dhe protesta e ditës së enjte para Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë