Politike

Pas SPAK për Olsi Ramën, reagon Bardhi: S’kam paditur asnjëherë pa dokumente zyrtare

Pas reagimit të SPAK se nuk pranon padinë e Olsi Ramës për shpifje ndaj Gazment Bardhit, ka reaguar edhe ky i fundit. Në një reagim në Facebook, Bardhi shkruan se nuk ka depozituar asnjëherë padi pa dokumente zyrtare.   

“Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitoi kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kërkesën për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016.

SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjësisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu!”, shkruan Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë