Kosova

Pas SHBA edhe BE me kritika për Kosovën: Të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet

Nga Gazeta 'Si'- Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme, që mund të rrisin tensionet, ndërsa shprehu shqetësimin lidhur me veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë ditëve të fundit kanë ndërmarrë disa operacione për, siç thanë ata, mbylljen e zyrave të strukturave paralele të Serbisë, që kanë vepruar brenda Kosovës.

Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi gjatë javës përmes rrjeteve sociale se autoritetet e vendit kanë mbyllur komunat e paligjshme që kanë shërbyer për komunën e Pejës, Istogut dhe Klinës. Ai tha se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Bashkimi Evropian tha se mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë çast.

“Statusi i këtyre strukturave është parashikuar të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prandaj, Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t'i adresojë këto çështje përmes dialogut në Bruksel”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili mbështeti deklaratën e Bashkimit Evropian, theksoi se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”.

Reagimet e zyrtarëve evropianë pasuan atë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili të shtunën në mbrëmje përmes një deklarate akuzoi qeverinë e Kosovës që, siç tha ai, me veprimet e fundit po nxit tensione etnike në vend, të cilat, sipas tij, po kufizojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ambasadori Hovenier tha se qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të qeverisë së Kosovës, që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ai shprehu edhe shqetësimin edhe për, siç tha, veprimet e policisë së Kosovës për sekuestrimin e dinarëve serb dhe veturës që transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia./ VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë