Kosova

‘Kurti po bën terror ndaj nesh’. Serbët do të bllokojnë çdo të hënë për 3 orë kalimin e automjeteve shqiptare në Merdare

Nga Gazeta 'Si'-Mediat serbe shkruajnë se nga sot(5 shkurt) serbët do bllokojnë rrugët për makinat me shoferë shqiptarë që duan të udhëtojnë për në Serbi.

Bllokimi do bëhet nga ora 12:00 deri në 15:00, çdo të hënë, në shenjë kundërshtimi të “terrorit” që sipas tyre, qeveria e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit po u bën serbëve.

“Bllokimi i rrugës do të jetë çdo të hënë për tre orë derisa të ndalet terrori i përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë e Metohi. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së serbëve të Zhvendosur nga Kosova.

Kjo shoqatë pretendon se serbët e zhvendosur kanë pritur 25 vjet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një jetë të re me fqinjët e tyre shqiptarë “të cilët nuk kanë kryer krime”.

Ata kërkojnë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ministri i jashtëm Ivica Daçiç dhe anëtarët tjerë të qeverisë serbe që “urgjentisht t’u dërgojnë një letër të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare, për të ndalur urgjentisht terrorin dhe arrestimin e serbëve të pafajshëm”.

Ky grup ende kërkon “kthimin urgjent të një mijë ushtarëve serbë në Kosovë”, duke përmendur Marrëveshjen e Kumanovës dhe Rezolutën 1244.

Kosova ditët e fundit ka qenë në qendër të vëzhgimit nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë kritikuar për heqjen nga qarkullimi të dinarit serb dhe mbylljen e zyrave të strukturave paralele serbe në Pejë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë