Treg

Abuzimet me maskat, Tatimet kontrolle në farmaci dhe depo

Pas shqetësimeve të fundit të ngritura lidhur me rritjen e çmimeve të disa produkteve farmaceutike, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka ushtruar kontrolle pranë farmacive dhe depove farmaceutike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të datës 28 dhe 29 shkurt, strukturat e hetimit tatimor, gjatë monitorimit në terren kanë kryer në total 98 verifikime ku janë konstatuar 25 shkelje.
-8 mallra pa faturë tatimore;
-4 raste për moslëshim kuponi tatimor;
-2 raste për mosafishim liste çmimi për biznes të vogël;
-1 rast për mosafishim liste çmimi për biznes të madh;
-2 raste për referim hetimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në ditët në vazhdim do të vijojë me kontrollet dhe do të jetë gjithmonë në krah të biznesit të ndershëm, duke treguar zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit, përfundon njoftimi i Tatimeve.

Para pak ditësh, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për abuzimet me çmimet për produktet që shërbejnë për parandalimin e simptomave të koronavirusit. Me anë të një njoftimi për mediat, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, tha se duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme kishte regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut” parashikuar nga neni 143/a/1 i Kodit Penal.
Prokuroria thotë se ka mbledhur informacionet e nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte të ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar nga frika e shpërthimit të koronavirusit edhe në vendin tonë.
Ndër të tjera, Prokuroria do të theksonte se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funksionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë