Financa Personale

Pas rritjes rekord, kursimet iu rikthyen rënies në korrik. Rritet stoku në valutë

Nga Gazeta 'SI' - Në muajin korrik 2022, kursimet e shqiptarëve ranë me 0.04%, nga muaji qershor, përkthyer në 568 mln lekë më pak në depozita.

Në raport vjetor me korrikun 2021, depozitat raportohen me rritje, në 6.8%, nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë muajit korrik, stoku total i depozitave raportohet 1,239,1 trilionë lekë, nga 1,239,7 që ishte në qershor, kur pati shënuar edhe rritjen më të madhe që nga viti 2006 dhe depozitat u rritën me 11 mld lekë në një muaj.

Në korrik, stoku i depozitave në lekë është ulur me 1.4 mld lekë, sa 0.3% e totalit, por është rritur stoku në valutë. Nga qershori në korrik, kursimet në valute janë rritur me 817 mln lekë.

Që nga nisja e vitit 2022, depozitat kanë qenë të luhatura, me rritje dhe rënie në periudha të shkurtra. Stoku i depozitave ra ndjeshëm gjatë shkurtit 2022 dhe më pas nisi një rikuperim të lehtë në raport mujor. Kjo përkon me tensionet në rritje të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe përgjigjet paraprake të tregjeve financiare.

Rekordi paraardhës i depozitave në Shqipëri, ishte ai i janarit 2022, kur shqiptarët kishin 1.234 trilionë lekë të depozituara  në banka, për të rinisur rënia një muaj më vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë