Sport

Pas Man.City, së shpejti edhe akademia Rafa Nadal në Shqipëri

Gjatë prezantimit të projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City në Durrës, kryeministri Edi Rama falënderoi ekipin që bëri të mundur kthimin e idesë së kësaj akademie, në projekt.

Gjithashtu Rama deklaroi që qeveria ka hyrë në diskutime për të hapur akademinë e Rafa Nadal për tenis.

Kryeministri, gjatë fjalimit të tij, vlerësoi CEO-n e Manchester City Khaldoon Al Mubarak, si një ndër njerëzit më gjenial që kishte takuar.

“Faleminderit për praninë tuaj në këtë moment të rëndësishëm dhe CEO i Manchester City është një ndër njerëzit më gjenial qe kam njohur Khaldoon Al Mubarak, të cilit i kërkova çeljen e një akademie të City-t në Shqipëri”, tha ai.

Rama vuri theksin tek rëndësia e këtij projekti duke thënë që akademia e Manchester City-t në Shqipëri është ekskluzivitet për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor  dhe nëse një tjetër vendos të hapet, akademia në durrës do të jetë partnere.  

“Ne arritëm që jo vetëm të kemi një kontratë, por edhe ekskluzivitet për të gjthë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku me kusht qe nëse do hapet një akademi tjetër, kjo e Durrësit do të jetë partnere edhe atje”.

Në fjalën e tij, Rama falënderoi edhe Presidentin e FSHF-së Armand Duka, duke ia vënë në dukje punën dhe mbështetjen e tij për projektin.

Momentalisht, bëri me dije kryeministri, qeveria është e angazhuar me tre projekte stadiumesh, ai i Durrësit, i Vlorës dhe i Korçës, të cilët janë në fazën e parë të fillimit të punimeve.

Kreu i qeverisë deklaroi që me hapjen e Akadmisë së Manchester City-t, Universitetin e Durrësit afër dhe tani më fillimin e diskutimeve për hapjen edhe të akademisë Rafa Nadal për tenis, zona që dikur ishte kënetë, do të kthehet “në një zonë atraktive shume te suksesshme”.

“Kemi hyrë në diskutime për të sjellë pranë akademisë së Manchester City-t, akademinë e Rafa Nadal, një akademi tenisi e cila shpresoj dhe besoj që do t’i bashkëngjitet kampusit të Manchester City-t”, tha Rama.

Pas mbarimit të fjalës së tij, Ramës iu dhurua një bluzë e ekipit të Manchester City-t e firmosur nga lojtarët e skuadrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë