Ne rrjet

Pas linjës direkte Kosovë-Serbi, SHBA kërkon pezullimin e taksës

Kosova duket të ketë hapur dashje pa dashje, së bashku me rihapjen e linjës ajore Prishtinë-Beograd, edhe shtegun për heqjen e taksës ndaj importeve serbe.

Lajmi i rifillimit të faturimeve direkte ishte një surprizë jo vetëm për Bashkimin Europian, por edhe shumë politikanë në Prishtinë, pasi u nënshkrua nga Aviacioni Civil në emër të shtetit të Kosovës. Dhe, “rastësisht” ose jo, një nga kushtet për arritjen e kësaj marrëveshjeje (që nuk thuhet publikisht) duket se është heqja e taksës ndaj importeve serbe.

Kjo u bë e qartë ditën e djeshme nga dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas një darke me presidentin Hashim Thaçi në Prishtinë.

Grenell, i cili ka luajtur edhe rolin e ndërmjetësit kryesor për arritjen e kësaj marrëveshjeje për linjën direkte Prishtinë-Beograd, shkrunate në Tuiter pas takimit me kreun e shtetit të Kosovës se taksa duhet të tërhiqej.

Grenell takon Presidentin Thaci, Gazeta Si, 2020

“Faleminderit president, duhet të bëjmë progres, dhe kjo përfshin edhe heqjen e taksës”, theksonte Grenell.

Ambasadori i SHBA-së në Gjermania ndodhet në vizitën e tretë zyrtare në Prishtinë, dhe si në çdo takim tjetër, kërkesa e tij për politikanët në Kosovë duket të ketë qënë e njëjta: heqja e taksës.

Kërkesa do të bëhej edhe më e qartë gjatë takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes. Grenell tha se SHBA kërkon pezullimin e kësaj tarife sapo Albin Kurti, të formojë qeverinë. I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi ka deklaruar madje se formimi i qeverisë nuk është problemi i tij dhe se ai është interesuar vetëm e vetëm për çështje që kanë të bëjnë me bisedimet dypalëshe dhe ekonominë.

“Ishte kënaqësi të shoh përsëri z.Kurti, formimi i qeverisë së re nuk është problemi im dhe nuk jam i interesuar që të përfshihem aspak. Dua të them dy gjëra. I thash zotit Kurtit se ne jemi duke pritur të shohim se çfarë po ndodhë dhe ju inkurajojmë që të zbatoni ligjin”, deklaroi Grenell duke shtuar se është në Kosovë të ndihmojë në ekonominë e vendit.

“Dua të sqaroj se rritja ekonomike është më e rëndësishmja. Jam i interesuar për hapjen e vendeve të reja të punës, ka njerëz që janë të interesuar që të ndihmojnë ekonominë këtu, administrata e presidentit Trump ka qenë mjaft e suksesshme në rritjen e ekonomisë duke i ndihmuar bizneset përmes qeverisë”, u shpreh Grenell.

Ambasadori amerikan në Berlin duket se e ka lënë “topin” në fushën e Kurtit dhe Mustafës, duke theksuar se do t’i kërkonte edhe kreut të LDK-së që të hiqej tarifa 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi” thotë Grenell. "Ne duam që të arrijmë progres në këtë rajon, në Kosovë, në Serbi në planin ekonomik”, tha Grenell, duke nënvizuar se "të rinjtë kanë nevojë për vende pune. Sipas Grenell, përqëndrimi në planin ekonomik është në fokus të administratës së presidentit Trump.

Grenell pas takimit me Albin Kurtin, Gazeta Si, 2020

Kërkesa e heqjes së taksës duket të ketë ardhur si pjesë e paketës së marrëveshjes së rivendosjes së fluturimeve direkte mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse kreu i Aviacionit Civil, i cili firmosi në emër të Prishtinës, se do të ketë një klauzolë që kërkon në mënyrë të drejtpërdrejtë anulimin e saj.

Por Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës e pranon se me fillimin e zbatimin e marrëveshjes do të transportohen edhe mallra të ndryshme për qëllime biznesi, nëse këtë e konsideron të arsyeshme kompania operuese “Lufthansa". Kjo nënkupton se Prishtina se do të jetë nën presion edhe më të madh për të tërhequr taksën.
Eset Berisha, drejtor i Aviacionit Civil thotë se me shkëmbimin e pasagjerëve ekziston edhe linja për bagazhe dhe mallra. “Nëse kompania Lufthansa vendos që mallrat të transporton përmes vijës ajrore, atëherë të gjitha obligimet tatimore, përfshirë edhe taksën 100 për qind për importet nga Serbia, do të duhet të shqyrtoheshin për transportin ajror”, thotë ai.

Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin me ndërmjetësimin e Grenell dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, Robert O’Brien.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë