Rend dhe Ligj

Pas lejes së prindërimit, rikthimi i Gjin Gjonit trazon ujërat e drejtësisë

Rikthehet gjyqtari Gjin Gjoni. Shtatë muaj pasi iu miratua nga ish-KLD kërkesa për leje prindërimi duke qenë se është bërë baba i një vajze, një kërkesë e tij e dytë e dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjuqësor, është bërë shkak që anëtarët të mblidhen këtë të mërkurë, në orën 15:00.
Anëtarët e KLGJ janë vënë në lëvizje nga vetë gjyqtari Gjoni, por edhe nga Kolegji Zgjedhor. Nga njëra anë, gjyqtari Gjin Gjoni sipas ish-KLD ka marrë leje prindërimi për dy vjet dhe për këtë i hiqet e drejta e pagës si gjyqtar. Por, vendimi i tetorit 2018 nga KLD ka lënë jashtë vëmendjes se çfarë do të bëhet me faktin se Gjin Gjoni edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor, a duhet apo jo t’i jepte leje. KLD ka argumentuar se si anëtar i Kolegjit Zgjedhor Gjin Gjoni nuk merr leje. Por siç rezultoi më pas gjatë shortimit për shqyrtimin e kërkesave të subjekteve politike, Gjin Gjoni u zgjodh gjyqtar kolegji. Gjoni ka kundërshtuar pjesëmarrjen në kolegj, pasi sipas tij është me leje. Kolegji Zgjedhor ndërkohë pas një vendimmarrjeje konkrete nga KLGJ nuk e përjashton dot nga shortimi. Ndaj Këshilli i Lartë Gjyqësor, për herë të parë pas konstituimit do të trajtojë në vetvete domethënien e një vendimi të KLD së mëparshme.
Vështirësia
Përveç dilemave dhe debateve që parashikohen të ndodhin në KLGJ, pikëpyetja më e madhe ka lidhje me një përcaktim të qartë të ligjit zgjedhor. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor zgjidhen çdo katër vjet përmes shortit dhe më pas dekretohen nga Presidenti. A do mundet KLGJ të vendosë dot nëse Gjin Gjoni ka të drejtë kur kërkon leje për shkak të parimit “fiton interesi më i lartë i fëmijës”, apo në këtë rast do fitojë interesi më i lartë që lidhet me shoqërinë, pra që janë çështjet e zgjedhjeve. E qartë është se edhe kësaj radhe një nga gjyqtarët më të përmendur ia ka dalë sërish t’i trazojë ujërat. Ashtu siç i trazoi me kërkesën për leje, që u interpretua si shmangie apo fitim kohe për vettingun. Gjin Gjoni ia doli mbanë të sfidojë edhe ministren e Drejtësisë, e cila e kundërshtoi vetëm mediatikisht lejen prindërore, pasi në fakt më tej nuk u pa asnjë veprim konkret prej saj. Le të shohim çdo të ndodhë në mbledhjen e orës 15:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë