Ngjarje

Pas lejes së lindjes Gjin Gjoni dorëhiqet dhe shmang daljen para vetingut

Pasi e shtyu daljen para komisioneve të rivlerësimit të vetingut për më shumë se një vit e gjysmë duke shfrytëzuar një leje prindërore 2-vjeçare, gjyqtari i Apelit dhe anëtari i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen nga statusi i gjyqtarit duke akuzuar se procesi është një farsë në shërbim të politikës.

“Lëvizjet dhe sita e vetingut nuk ka të njëjtat parametra dhe as kritere të barabarta për të gjithë. Nëse je shërbëtor i politikës, nëse vulos dhe firmos pa menduar, pa lexuar dhe pa iu nënshtruar ligjit dhe Kushtetutës e kalon. Nëse je shpallur armik i partisë nuk shihesh me sy të mirë dhe përfundon në rrugë”, thotë ish-gjyqtari Gjoni në letrën e dorëheqjes.

Gjoni pretendon se shumë kolegë të tij që nuk i janë nënshtruar politikës janë djegur pikërisht për këtë arsye nga vetingut dhe thotë se ndaj tij janë hedhur sulme deri nga goja e zyrtarëve më të lartë.

“Gjatë kohës që unë ushtroja detyrën e gjyqtarit dhe jo vetëm, përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, të cilët japin llogari dhe nuk janë kontrollorë të gjyqësorit, kam mësuar sulmet personale me emër nga zyrtarët e lartë. Për fat të keq për 7 vite me radhë i jam nënshtruar sulmeve personale të paskrupullta”, thotë Gjoni.

Ish-gjyqtari deklaron se 80 për qind e trupës së vetingut është e lidhur me politikën dhe nuk ka as aftësinë e as profesionalizimin për të vendosur drejt për gjyqtarët dhe prokurorët.

“Për këto arsye, kërkoj të heq dorë në mënyrë të parevokueshme nga statusi i gjyqtarit dhe njëkohësisht nga gjyqtari i Gjykaatës së Apelit Tiranë dhe për rrjedhorë edhe të anëtarit të Kolegjit Zgjedhor”, deklaron Gjoni.

Ish-anëtari i KLD-së thotë se për 27 vite ka kryer detyrën me profesionalizëm dhe devotshmëri duke i rezistuar presionit të politikës. Ai akuzon se sot po gjykohet nga pasaardhësit e atyre që ka dënuar gjatë karrierës.

“Kam ditur t’i qëndroj me profesionalizëm këtij presioni, edhe kur në vendimet e mia gjyqësore u dënuan e gjithë nomenklatura politike, grupet më të rrezikshme kriminale dhe individë me pushtet politik. Fëmijët, nipërit, aapo mbesat e tyre sot janë në drejtimin e shtetit si zyrtarët më të lartë”, thotë Gjoni.

Emri i Gjin Gjonit ka qenë mjaft i lakuar përgjatë të gjithë procesit të vetingut. Ai akuzohet si përfshirë drejtpërdrejtë, ose tërthorazi në një sërë vendimesh të dyshimta të drejtësisë ndër vite, që me lirimin e Abdulselam Turgut, i akuzuar si financuesi i një celule terroriste iraniane me mision sulmet ndaj muxhahedinëve në Shqipëri, e deri tek ndërhyrja duke përdorur influencat e tij në gjyqin për “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë