Analize

Lepuri i "Duty Free" doli nga Ministria e Financave

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë rrëzoi vendimin e Ministrisë së Financave, që i anuloi licencën e shfrytëzimit të dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit, duke i dhënë të drejtë kompanisë “Albanian Duty Free Distribution”, me pronare Elona Çaushin.

Pas shpalljes së vendimit, gjyqtari Avni Sejdi u tha të pranishmëve se kur të lexojnë vendimin e arsyetuar, që pritet të publikohet brenda dy javëve, do të kuptojnë se “ku fle lepuri”. Ndoshta lepuri nuk fle tani tek Ministria e Financave, por kur u ngjiz kjo histori, lepuri prej andej doli.

“Strumbullari” i të gjithë përplasjes ligjore nëpër gjykatat për çështjen e menaxhimit të dyqaneve pa taksë në Aeroportin e Rinasit janë bërë dy vendime të marra brenda pak javëve nga Ministria e Financave në vitin 2019.

Dështimi i këtij institucioni për të informuar 60 ditë përpara kompaninë shqiptare “Albanian Duty Free” se nuk do t’i rinovonte licencën për ushtrimin e aktivitetit në Aeroportin e Rinasit është përdorur nga kompania në fjalë si argument i fortë ligjore në padinë e ngritur në gjykatë në 1 gusht, ku kërkoi dhe fitoi të drejtën për të vazhduar aktivitetin e saj, pavarësisht se kontrata me TIA-n i kishte përfunduar dhe kjo e fundit kishte nënshkruar një kontratë të re me kompaninë amerikane “International Cruise Duty Free”.

Pas kësaj, kompania “ADFD” me pronare Elona Çaushin, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit, Gjin Gjoni aplikoi për rinovimin e licencës për shfrytëzimin e hapësirave në Rinas. Çuditërisht, një proces që vetë Elona Çaushi, përmes një letre dërguar për “TIA”-n thotë se kërkon 6 muaj, kompania e saj e mori për 24 orë. Aplikimi është bërë më 15 gusht 2019 dhe më 16 gusht 2019, zv. ministri i Financave firmos licencën e rinovuar.

Në fund të shtatorit, Ministria e Financave e kuptoi “gabimin” dhe u mundua ta korrigjojë atë duke e anuluar licencën. Kompania “ADFD” e paditi këtë vendim të ministrisë dhe gjykata administrative e Tiranës i dha të drejtë këtë të martë (11 shkurt).

Pra, e thënë më thjeshtë, nëse Ministria e Financave do të kishte përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke filluar që me respektimin e afatit 60-ditor për të njoftuar kompaninë se nuk do t’i rinovonte licencën, “sikletet” e kompanisë amerikane “ICDF” do të ishin kursyer, e po ashtu do të ishte kursyer edhe ndonjë gjobë e mundshme me të cilën mund të përballet shteti shqiptar nëse kompania në fjalë vendos ta padisë në gjykatat ndërkombëtare.

Gishtin tek Ministria e Financave e drejtojnë edhe ekspertët. Zef Preçi e cilëson plotësisht papërgjegjshmëri të Qeverisë dhe po ashtu edhe kreu i Konfederatës Shqiptare, Gjergj Buxhuku.

“Situata duket qartë që është edhe dora e shtetit me veprimet e tij të çoroditura. Nga njëra anë kemi dhënie vendimi për licencim kompanie dhe pastaj përsëri prapësim nga i njëjti institucion”, thotë Buxhuku për gazetën “Si”.

Kreu i Konferederatës Shqiptare kërkon që të vihen para përgjegjësisë autorët që kanë shkaktuar këtë çoroditje brenda një institucioni.

“Në rastin në fjalë Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk bën asnjë njoftim sqarues. Gjithashtu nuk kemi as edhe një përgjegjës për veprimet kundërshtuese të mësipërme. Për më shumë është e pashpjegueshme sesi është e mundur që institucionet qeveritare nuk shkëmbejnë asnjë informacion me koncesionarin e aeroportit në të cilin shteti është një nga aksionerët e rëndësishëm. Përsëri nuk ka asnjë tejdukshmëri publike dhe kjo është e papranueshme”, vijon ai.

Buxhuku mendon se rasti në fjalë ka pasoja për klimën e biznesit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj .

“Gjithcka më sipër dëmton imazhin e shtetit shqiptar përballë investimeve të vendit dhe të huaja. Ndërkohë, duhet të pranojmë se situata është e ndërlikuar edhe nga ana e procedurave ligjore, ku shteti ngatërron edhe më shumë. Në këtë pikë mbetet të pranojmë vendimin e sistemit të drejtësisë deri në fund të gjykimit, që mesa duket do të jetë i zgjatur në kohë”, mbyll reagimin e tij për gazetën “Si”, kreu i Konfederatës Shqiptare.

Përplasja mes “ADFD” dhe një kompanie të huaj të interesuar për të investuar në Shqipëri tek ofrimi i shërbimeve “Duty Free”. Në rastin me “International Cruise Duty Free” nuk bëhet fjalë për një përballje të drejtpërdrejtë, por me anë të një skeme të ngjashme, Elona Çaushi fillimisht afroi në 2007 duke i shitur 70 për qind të aksioneve kompaninë gjermane “Heinemann Duty Free”, kompania më e madhe ofrimit të këtij shërbimi në Europë.

Por, përmes disa manovrave ligjore dhe padive të ngritura, bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni ja doli mbanë që jo vetëm të rimerrte aksionet që i kishte shitur kompanisë gjermane, por edhe ta gjobiste atë me 300 mijë euro.

Këtij rasti dukej se i referohej edhe Kryeministri Edi Rama kur bënte bilancin e 300 viteve në pushtet, për të ilustruar se përse ishte e nevojshme reforma në drejtësi. Ai tha se në takime me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe Angela Merkel i ishte përmendur në emër emri i Gjon Gjonit dhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

“Merkel, duke më parë në sy më tha: Më shiko në sy dhe me po të njejtën ndershmëri dhe kurajo që më fole pse gabuam kur nuk e dhamë statusin në dhjetor, m’u përgjigj kësaj pyetjeje: A mund të më thuash që me atë sistem drejtësie që keni, me ato gjykata që keni ju, me atë nivel korrupsioni që keni ju në gjyqësor, mund të bëheni ndonjëhër vend i Bashkimit Europian?”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë