Politike

Gjin Gjoni kandidat për deputet, PD: Nuk kandidojmë asnjë të larguar nga vettingu

Partia Demokratike nuk e mohon faktin se emri i Gjin Gjonit, ish-gjyqtari i Apelit, i dorëhequr ditën e mërkurë duke iu shmangur kështu procesit të vettingut është propozuar nga baza e saj në Tiranë dhe Lezhë si kandidat i mundshëm për deputet.

Por, PD sqaron zyrtarisht se propozimi nuk do të thotë se ai do të jetë kandidat.

PD konfirmon se në metodologjinë e hartuar të seleksionimit të kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve është përcaktuar si kriter përjashtues, që nuk mund të kandidohet asnjë individ, i cili është larguar nga detyra për shkak të vettingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vettingut.

Gjin Gjoni dorëzoi dorëheqjen si gjyqtar i Apelit, njëkohësisht edhe si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke akuzuar se 80 për qind e trupës së komisioneve të vettingut është e kapur politikisht dhe se procesi vepron me dy standarde.

Dorëheqja mbërriti në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore, që ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mori para se të dilte para komisioneve të vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë