Politike

Ruçi: KE do të konfirmojë çeljen e negociatave

Kuvendi i Shqipërisë është duke përfunduar procesin e informimit të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi progresin e bërë në objektivat e përcaktuara nga Brukseli për hapjen e negociatave.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi nga Haga, ku u gjend për një tur lobimi në parlamentin holandez se në përfundim të këtij procesi, raporti informues do t’u dorëzohet edhe institucioneve të Bashkimit Europian.

Ky proces pritet të përmbyllet brenda kësaj jave, para se Komisioni Europian të dalë me raportin e radhës të progresit ku nuk parashikohen surpriza, por konfirmim të rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Pranë parlamenteve të vendeve anëtare kemi paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, në kuadrin e pesë prioriteteve që janë: reforma në drejtësi, lufta kundër krimit, lufta kundërkorrupsionit, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu pronën dhe reformën zgjedhore”, tha Ruçi.

Turin e takimeve në Holandë, njëra prej vendeve skeptike për hapjen e negociatave, Gramoz Ruçi e vlerësoi si pozitiv. “Me bashkëbiseduesit që ne takuam, gjetëm një mirëkuptim të plotë dhe me objektivitet ata deklaruan që ne po presim të mbarojnë zgjedhjet e Parlamentit Europian", tha Ruçi.

Ruçi tha se në takime nuk është vënë në diskutim zhvillimi ose jo i zgjedhjeve më 30 qershor. “Për anëtarët e Bashkimit Europian, braktisja e institucioneve dhe braktisja e zgjedhjeve është e pakuptimtë, e paperceptueshme dhe nuk përbën pyetje për të marrë një përgjigje nga askush”, shtoi ai.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Holandë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u takua edhe me presidenten e Senatit të Holandës, Ankie Brokers-Knol. Në këtë takimin merrnin pjesë e dhe dy deputetët e Parlamentit, Taulant Balla dhe Rudina Hajdari.
“Jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, në Senatin e Holandës së Rembrandit, Van Gogut, Krujfit, Van Bastenit, mirëqenies, demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, për të shpjeguar arritjet tona në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Europian, në qershor 2018, si kushte për hapjen e negociatave në qershor 2019. Jemi këtu për të thënë që detyrat e shtëpisë i kemi realizuar plotësisht”, tha kryeparlamentari.

Presidentja e Senatit të Holandës, Ankie Brokers-Knol, sipas njoftimit të Parlamentit shqiptar, nënvizoi se Holandën dhe Shqipërinë i lidh një miqësi e hershme dhe e fortë e bashkëpunimit për paqen dhe progresin. “Aktualisht marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira dhe më një perspektivë akoma më të mirë. Jam e impresionuar nga vullneti dhe arritjet e Shqipërisë në reformat, sidomos reformës në drejtësi dhe vettingut, për të cilën kontribuojnë edhe ekspertët holandezë. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë vende europiane dhe unë jam e bindur për perspektivën europiane të Shqipërisë. Nisja sa më shpejt e negociatave nuk është vetëm në interesin e Shqipërisë, por edhe të BE-së. Për këtë keni mbështetjen tonë”, tha Brokers-Knol.

Një ditë më herët edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi se Shqipëria e meriton fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, pas rekomandimit të pritshëm pozitiv të Komisionit Europian javën e ardhshme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se Shqipëria ka institucione demokratike funksionale dhe partitë politike duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Zgjedhjet e 30 qershorit janë moment i rëndësishëm në rrugën Evropiane të Shqipërisë”, shkruante ndër tëë tjera Balla.
Edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Rudina Hajdari, pjesë e delegacionit me Ballën dhe Ruçin tha se hapja e negociatave është e rëndësishme për destinacionin europian të vendit tonë. “Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor”, deklaroi Hajdari.
Deputetja e PD, e cila nuk dorëzoi mandatin, tha se nëse nuk hapen negociatat nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. “Nëse Shqipëria hap negociatat do të kemi më shumë përgjegjësi për të vazhduar me reformat dhe te arrijmë standardet tuaja. Nëse nuk hapen negociatat muajin e ardhshëm, ne nuk e dimë çdo ndodhë vitin e ardhshëm, apo në Europë. Mos lejoni ndërhyrjet e tjera që duan ta tërheqin orientimin tonë drejt Bashkimit Europian”, ka deklaruar ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë