Libra

Pas Durrësit dhe Sarandës, poezia rrugëton në Pogradec, mes busteve të Lasgushit dhe Kutelit

Nga Gazeta Si - Vashëz e hipur në një kalë pa fre,

e çliruar nga mbishkrimi embrional,

siluetë – vizatuar nga lapsat prej burri,

të shoh ende si kërkon të kthesh në lëkurë

gjithçka prej shpirti, lëkurën e ujit ke marrë për vete,

uji e ka zhvoshkur lëkurën që të mos dijë ku shkon...

Këto janë disa nga vargjet e poetes Natasha Lako, të cilat u lexuan para lexuesve dhe adhuruesve të poezisë së saj në Pogradec, në kuadër të Varg Festival.

Pas Durrësit dhe Sarandës, rrugëtimi i Varg Festival vijon në qytetin e Pogradecit, duke bërë bashkë poezinë dhe lexuesit.

Aty në lulishten bri Lasgush Poradecit e Mitrush Kutelit, Varg Festival organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, nisi siparin e takimeve në qytetin e bukurisë së fjalës shqipe, Pogradecin, më 8 gusht.  

Mbrëmjen e 8 gushtit ishte poetja Natasha Lako që erdhi pranë lexuesve të saj në një diskutim mbi vargun shqip, rrugëtimin e saj poetik, qytetin, kulturën, gruan dhe jetën.

Poetja Natasha Lako erdhi në një dialog të vecantë me poeten Mimoza Ahmeti, e cila edhe lexoi poezi të Lakos për dhjetëra turistë e lexues që u bashkuan.

Pas Lakos, Varg Festival vijoi edhe me dy poetë korcarë mbrëmjen e 9 gushtit, Skënder Rusi dhe Eris Rusi, të cilët erdhën pranë lexuesit nën logon “At e bir”.

Një tjetër poete do të ndajë detaje dhe përvojën e saj nga rrugëtimi artistik sonte në Pogradec. Nurie Emrullai është shkrimtarja dhe poetja e re nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, që mori këtë vit edhe Çmimin Letrar Kadare, e cila do të vijë pranë lexuesit në një rrëfim për dy vëllimet e saj me poezi “Vargmale nën dhe”, si dhe “Në orën moderne të perëndive” si dhe për të rrëfyer rrugëtimin e saj poetik.

Mbrëmjet poetike në Pogradec, por edhe në Durrës e Sarandë i ka shoqëruar edhe ekspozita me foto e shkrimtarëve shqiptarë, realizuar nga fotografi Roland Tasho.

Varg Festival nisi nga Durrësi në Torrën Veneciane më 18 korrik ku bëri bashkë poetë nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë eksperiencat e tyre në shkrim dhe qasjen ndaj poezisë bashkëkohore.

Ai synon të kthehet në një traditë gjatë stinës së verës për t’i bërë bashkë poetët me lexuesit e tyre në qytetet turistike.

Këto aktivitete janë një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë