Ka ndodhur

Pas Dritan Dajtit lë burgun edhe Emiliano Shullazi, dërgohet në spital

Emiljano Shullazi ka lënë qelinë e tij në burgun 313 për t’iu nënshtruar një vizite shëndetësore në ambientet e QSUT.

Mësohet se Shullazi është dërguar në QSUT, nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë.

Nuk dihen arsyet e kësaj vizite shëndetësore apo problemet që paraqet.

Prej disa muajsh, Emiljano Shullazi është i izoluar në regjimin “41 bis”.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela, Endrit Qyqa dhe Blerim Shullazi u dënuan dhjetorin e 2018-ës me 55 vite burg për disa vepra penale.

Prej vitit 2018, procesi gjyqësor ndodhet i bllokuar në gjykatën e Apelit, ku herë për mungesë të gjyqtarëve dhe herë për mungesë të avokatëve, kjo situatë nuk po merr zgjidhje, duke u shtyrë pa fund një ndër proceset më të rëndësishme që ndodhet në këtë gjykatë.

Mbrëmjen e së martës (26 janar) edhe Dritan Dajti i dënuar për vrasjen e 4 policëve dhe që aktualisht vuan dënimin në burgun e Peqinit u transportua për trajtim mjekësor në QSUT në Tiranë, me dyshimin se ishte prekur nga Covid-19.

Herën e fundit Dajti u soll në Tiranë për vizitë në një klinikë private, ndërsa më pas u pezulluan disa policë të burgjeve, pasi drejtori i burgjeve nuk ishte njoftuar për këtë lëvizje.

Dritan Dajti është i dënuar për vrasjen e 4 oficerëve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj në vitin 2009. I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, atij iu ul dënimi në 25 vjet burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë