Para

Pas daljes nga Lista Gri, Shqipëria po tenton të futet në zonën e pagesave të euros. Kursehen 14 mln euro

Nga Gazeta 'SI'- Në një takim të organizuar nga Banka Qendrore Europiane, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, njoftoi se po punohet për të qenë pjesë e SEPA-s, duke përmbushur kushtet.

SEPA, e njohur si Zona e Pagesave në Euro, do të thotë lëvizja e parave brenda dhe jashtë Shqipërisë pa tarifa shtesë. Sipas llogaritjeve, aksesi në SEPA do t’i kursente Shqipërisë 14 mln euro, që rrjedhimisht mund të qarkullohen në vend.

Minxhozi shtoi se Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, kanë punuar për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s.

“Një fokus të punës së Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemeve të pagesave dhe përmirësimit të kuadrit rregullativ me qëllim reduktimin e kostove të pagesave në vendin tonë, rritjen e eficiencës, duke synuar uljen e informalitetit dhe rritjen e përfshirjes financiare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është hartimi i projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, së bashku me rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, të cilat kanë si qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe ridimensionimin e veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare, duke nxitur konkurrencën në treg, me një ndikim të rëndësishëm në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit. Në rolin e mbikëqyrësit të sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të madhe praktikave të BE-së dhe zhvillimeve të reja, me qëllim implementimin sa më të shpejtë të tyre. Siguria dhe efikasiteti i pagesave përbëjnë objektiva të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë për ruajtjen e besimit në monedhën vendase dhe nxitjen e një ekonomie efikase,” tha zj.Minxhozi në takim.

Hyrja në SEPA ishte kërkesë e Qeverisë së Shqipërisë në Samitin e Procesit të Berlinit që u zhvillua në Tiranë, por sigurisht vendi jonë duhet të përmbushë disa kritere. Përshpejtimi i këtij procesi duket të lidhet edhe me daljen e Shqipërisë nga Lista Gri e BE-së, pasi rreziku për pastrimin e parave është një ndër arsyet pse vendet nuk aksesojnë dot SEPA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë