Politike

Ambasadori britanik dhe ajo gjermane, në zyrën e Bashës

I sapo kthyer nga Brukseli, Kreu i PD-së Lulzim Basha ka pritur në një takim në selinë e PD-së ambasadorin e Britanisë, Duncan Norman. Situata e nxehtë politike në vend dhe zhvillimet më të fundit janë në qendër të takimit.
Nëpërmjet një postimi në “Twitter” disa ditë më parë, ambasadori i Britanisë së Madhe u shpreh kundër protestave të dhunshme dhe bëri apel për vetëpërmbajtje.
“Sot është një mundësi për të ushtruar të drejtën tuaj të protestës. Megjithatë kjo e drejtë duhet ushtruar në mënyrë paqësore. Dhuna minon demokracinë. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të tregojnë përmbajtje. Të respektojnë institucionet demokratike dhe parimet e një proteste paqësore”, shkruante ambasadori Norman.

Vetëm pak pas vizitës që bëri ambasadori britanik në zyrën e Bashës, mbërriti edhe ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanme Schütz, shoqëruar me një delegacion të Ministrisë së Jashtme gjermane.
Më herët, ambasadorja Susanme Schütz në një deklaratë lidhur me situatën politike në vend, i ka ftuar palët politike të dialogojnë dhe të mendojnë për integrimin e vendit.
“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç.
Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon.
E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumente të rëndësishme korrektive të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale”, shprehej ambasadorja gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë