Për shkak të epidemisë, futbolli shqiptar po nxiton dhe java e 33-të vjen shumë shpejt për Partizanin dhe Tiranën, që sot, do të diskutojnë midis tyre derbin e 157-të të kryeqytetit.
Për tifozët e të dyja ekipeve, derbi është më i rëndësishëm se vetë kampionati. Ndërsa, fitorja ndaj rivalëve vlen më shumë se titulli. Por premten në mbrëmje tifozët nuk do të jenë të pranishëm në orën 20:45 në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Dy rivalët e përjetshëm do të sfidohen në heshtje, që do të prishet vetëm nga zërat e lojtarëve në fushë, apo britmat e trajnerëve në pankinë.

Në lojë nuk janë vetëm 3 pikë, por edhe dy objektiva madhorë: Nga një anë titulli i munguar prej një dekade dhe ana tjetër kualifikimi në Kupat e Europës. Në kampin e Partizanit kanë probleme para ndeshjes me bardheblutë dhe kjo nuk ka të bëjë me dëmtimet, por me faktin se pesë pjesëtarë të ekipit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Këto mungesa ja shtojnë vështirësinë trajnerit Sormani në përzgjedhjen e formacionit.
Sakaq, në kampin e Tiranës kërkojnë të lejnë pas humbjen me Kukësin dhe tekniku i bardhebluve Emanuel Egbo vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe me besimin se do të ketë ndihmë nga zoti. Nigeriani nuk shqetësohet aspak nga rastet me koronavirus te Partizani. “Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me ndihmën e Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet. Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Është diçka normale për ne”.

Tirana do ta ketë të plotë grupin e futbollistëve dhe në fushë do të zbresin ata që kanë kontribuar në pjesën më të madhe të këtij sezoni, por nuk do t’i mjaftojë fitorja në derbi, pasi i duhen 7 pikë për të arritur matematikisht trofeun, por fitorja e tretë radhazi në derbi do të dërgonte në delir tifozët dhe do të zbehte jo pak zhurmën e krijuar nga sfida e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit. Takimi pritet të gjykohet nga 6 arbitra në fushë, ku kësaj radhe peshën kryesore do ta ketë arbitri i FIFA-s, Eldorjan Hamiti. Në fazën e parë ndeshja është gjykuar nga Kridens Meta, në fazën e dytë nga Enea Jorgji, ndërsa në fazën e tretë derbi iu besua Juxhin Xhajës.
Nuk ka rëndësi nëse luan për mbijetesë apo për titullin kampion: ajo që tifozët nuk falin është humbja në derbi dhe ky ‘’ligj’’ nuk ndryshon edhe me stadiumin bosh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.