Futboll

Miqësorja e luksit/ Roma triumfon në ‘Air Albania’, Cara shënon golin e nderit për Partizanin

Gazeta Si - Ka përfunduar me fitoren 1-2 të Romës ndeshja miqësore me Partizanin, e zhvilluar në stadiumin ‘Air Albania’. Pjesa e parë, ku kampionët e Shqipërisë luajtën me shumë lojtarë të rinj, ishte e gjitha për miqtë, të cilët shënuan 2 gola me El Sharauin dhe Belotin. Cara në pjesën e dytë shënoi me penallti golin e nderit për Partizanin.

Duke qenë se Partizani luan në Europë dhe është në lojë për kualifikimin në fazën e ‘Play-off’-it të Ligës së Konferencës, trajneri Zekiç i kurseu titullarët. Për më tepër që vetëm dy ditë më parë ata kishin luajtur në Letoni. Ai hodhi në fushë shumë emra të rinj dhe në portë veteranin Hoxha, i cili u zëvendësua që në pjesën e parë për dëmtim.

Mourinjo dhe Zekiç. Gazeta Si, 12 gusht 2023

Për Romën ishte një ndeshje më e rëndësishme, sepse ishte testi i fundit para nisjes së sezonit. Italianët e patën shumë të lehtë në pjesën e parë dhe shënuan dy gola të shpejtë me El Sharauin dhe Belotin. Asgjë për të shënuar për të kuqtë për 45 minutat e para.

Sapo nisi pjesë e dytë trajneri Mourinjo bëri 7 zëvendësime, ndërsa Zekiç filloi të hidhte në fushë titullarët pas minutës së 60-të. Qirko shmangu një gol thuajse të sigurt të Belotit, ndërsa minuta e 80-të solli një episod shumë interesant.

Partizani mbeti me 10 lojtarë, sepse Preka u dëmtua dhe në stol ishte vetëm portieri i 3-të. Të kuqtë tentuan të rifusnin në lojë Bilalin, por Mourinjo bëri një zgjidhje tjetër, duke hequr nga fusha Auar që skuadrat luanin 10 kundër 10.

Tedi Cara arriti të fitonte një penallti në minutën e 85-të, pas një kontakti me Çelik. Arbitri Juxhin Xhaja akordoi 11-metërsh dhe Cara realizoi golin e nderit për të kuqtë, duke ndezur tifozët e Partizanit. Më pas Rrapaj tentoi me një gjuajtje nga jashtë zonës, por pa rezultat. Gjithçka ka përfunduar me fitoren 1-2 të Romës.

Përveç tifozëve të shumtë, në tribunën VIP të stadiumit ‘Air Albania’ ishin të pranishëm edhe personalitete të ndryshme, me në krye kryeministrin Edi Rama, në krah të të cilit ishte këngëtari Noizi.

Kryeministri Rama dhe Noizi ne stadium. Gazeta Si, 12 gusht 2023

Episodet

90+4' - Mbyllet ndeshja, 1-2.

90' - Tenton Rrapaj, por gjuajtja e tij shkon jashtë.

85' - Cara fiton një penallti, pas pengimit nga Celik në zonë. Gjuan vetë sulmuesi kavajas nga pika e bardhë dhe shkurton shifrat në 1-2.

80' - Partizani mbetet me 10 vetë, pasi Preka dëmtohet dhe nuk mund të vazhdojë. Mourinjo reagon nga stoli i tij dhe heq Auar nga fusha, që të dyja skuadrat të jenë me forca të barabarta.

63' - Partizani hedh në fushë lojtarët titullarë, Murataj, Cara, Sota, Taipi, Mehmeti, Rrapaj, Kocijan, Atanasoski dhe Zekolli.

60' - Qirko bën një pritje spektakolare pas gjuajtjes së Belotit.

46' - Nis pjesa e dytë me ndërrime te të dyja skuadrat. Për Partizanin futen në fushë të tjerë lojtarë të rinj, si Ibraimi, Çela, Greca dhe Birçe. Te Roma bëhen 7 ndërrime, futen portieti Svilar, Kristante, Pelegrini, Karsdrop, Zalevski, Celik dhe Ndinka.

Mbyllet pjesa e parë, 0-2.

35' - Del nga fusha Alban Hoxha, vendin e tij e merr Pano Qirko.

26' - Beloti merr një pasim të saktë në zonë dhe mposht portierin Alban Hoxha me një diagonale të saktë. 0-2.

12' - El Sharaui kalon Romën në avantazh me një 'paloneto". 0-1.

Partizani-Roma 1-2
Partizani: Hoxha, Hadroj, Buxhelaj, Preka, Baruti, Bilali, Maguete, Grezda, Keko, Kote, Bitsouka. Trajner: Zekiç.
Roma: Rui Patricio, Mançini, Smolling, Lorente, Spinacola, Kristensen, Bove, Ouar, Pagano, Beloti, El Sharaui. Trajner: Zh.Mourinjo.
Arbitër: J.Xhaja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë