Futboll

Video/ Partizani mundet mes tensionit në Korçë. Sherr jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, ndërhyjnë Olsi Rama dhe Ardjan Takaj

Gazeta Si – Java e 25-të e Superiores nisi me tension në Kukës dhe vazhdoi po me tension në Korçë. Këtu nuk pati tifozë që të hynin në fushë, por mes lojtarëve gjatë ndeshjes dhe në tribuna nuk munguan përplasjet mes palëve. Skënderbeu fitoi 1-0, falë një penalltie të kthyer në gol nga Liço.

Pas asaj fitoreje në derbin me Tiranën, pritej që Partizani të vazhdonte t’i afrohej Egnatias, por duket se ishte vetëm një sinjal i momentit. Kampionët në fuqi kanë dalë pa pikë nga transferta e Korçës, ku mungesave të Carës dhe Skukës iu shtua ajo e Mensah sapo nisi ndeshja, për shkak dëmtimi. Skënderbeu fitoi një penallti afër fundit të pjesës së parë, pas prekjes së topit me dorë në zonë nga një mbrojtës i të kuqve. Kapiteni Dean Liço mposhti Hoxhën nga pika e bardhë.

Në pjesën e dytë Partizani u hodh i gjithi në sulm, por nuk ia doli të barazonte, sepse nuk kishte qartësi në finalizimin e aksioneve. Në fund ekipi kryeqytetas humbi edhe Rrapajn, i ndëshkuar me karton të kuq, ashtu si Janaqi i Skënderbeut. Pati nervozizëm edhe mes lojtarëve të tjerë dhe situata mezi u qetësua në fushë.

Tension pati edhe në tribunën qendrore në këtë moment, me sharje dhe fyerje mes tifozëve të dy skuadrave. Pati edhe një incident në tribunën qendrore. Në pamje të parë dëgjohen fyerje të shumta në drejtim të miqve nga Tirana, ku shihen vajza dhe gra që largohen pas ofendimeve në kor nga tribuna. Prej tyre familjarë të presidentit të skuadrës së kuqe, Gamend Demi.

Ka ndërhyrë aty vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, drejtor i klubit Partizani, për të qetësuar situatën, së bashku me presidentin e klubit vendas, Ardjan Takaj, dhe policinë për të qetësuar tifozerinë korçare që nuk ndaloi fyerjet në korr.

Java e 25-të e Superiores vazhdon ditën e hënë me dy ndeshjet Tirana-Laçi që luhet në ‘Elbasan Arena’ dhe Dinamo-Vllaznia që luhet në ‘Niko Dovana’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë