Futboll

Partizani mund Kukësin në festivalin e golave, trajneri Zekiç jep sinjale largimi

Gazeta Si – Java e 8-të e Superiores, e nisur që prej së premtes, luajtin sot tri ndeshjet e tjera të saj. Partizani fitoi 4-3 me Kukësin në një ndeshje të mbushur me emocione.

Lojtari i ndeshjes ishte sulmuesi Bintsouka, autor i 3 golave për të kuqtë, ndërsa goli tjetër mban firmën e Tedi Carës. Kukësi në anën tjetër iu përgjigj ‘flakë për flakë’ Partizanit, duke shënuar 3 gola, por gaboi më shumë në mbrojtje dhe doli pa pikë nga kjo sfidë.

Partizani është ngjitur në kuotën e 11 pikëve, por ka 2 ndeshje më pak, atë me Teutën dhe derbin me Tiranën, që nëse i fiton, shkon në krye të renditjes.

Trajneri Zoran Zekiç ndërkohë dha sinjale lamtumire nga stoli i kryeqytetasve. Ai u shpreh se do të bisedojë me presidentin Gazment Demi për të ardhmen. Mes të tjerash tha se Partizani do të mbetet në zemrën e tij, një mesazh i qartë largimi. Zekiç ka një ofertë nga një klub në Kroaci dhe mund ta mbyllë para kohe bashkëpunimin me të kuqtë.

Erzeni ka fituar po sot derbin me Teutën falë një goli të mbrojtësit Kacbufi, kurse Laçi mundi 2-0 Skënderbeun, duke marrë kështu vendin e dytë, me pikë të barabarta me Tiranën. Renditjen e udhëheq Egnatia me 16 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë