Futboll

Partizani me mision vendin e dytë, sfida e sotme me Vllazninë vlen më shumë se 3 pikë

Gazeta Si – Partizani-Vllaznia nuk është thjesht një ndeshje radhe në kampionat. Me formulën e re të aplikuar këtë sezon, mjaft e kritikuar nga opinioni futbolldashës, ndeshja që luhet sot në mbrëmje (ora 20:00) do të jetë edhe si një provë për “Final 4”, ku këto dy skuadra do të jenë sipas të gjitha gjasave.

Partizani ka sot një mundësi për të treguar forcën e tij dhe për të kapur vendin e 2-të, që ka një vlerë të veçantë në “Final 4”, sepse bën të mundur kalimin në finale edhe me barazim. Në këtë sens, kjo ndeshje vlen më shumë se 3 pikë për të kuqtë.

Vllaznia është aktualisht 3 pikë para Partizanit, që me ndihmën e tifozëve do të tentojë barazimin me pikë me këtë rival, duke i hapur rrugën vetes për të shkuar në “Final 4” si një nga 2 skuadrat e para.

Shkodranët kanë hasur vështirësi javët e fundit, duke pësuar 2 humbje në 3 ndeshje. Trajneri Orges Shehi në anën tjetër ka problemin e mungesave të shumta, megjithatë kjo ndeshje është një shans që nuk mund të humbet.

Java e 30-të e Superiores luan sot edhe dy ndeshje të tjera, Kukësi-Dinamo në orën 15:00 dhe Laçi-Teuta në orën 18:00. Ndeshjet e tjera të javës, Skënderbeut-Tirana dhe Erzeni-Egnatia, luhen ditën e hënë. Superiorja kryesohet nga Egnatia, e ndjekur nga Vllaznia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë