Gazeta Si – Fati duket se i ka kthyer shpinën Partizanit. Pas atyre fitoreve me gol të shënuar në kohë shtesë, tashmë janë 6 ndeshje radhazi që skuadra e drejtuar nga trajneri Arbër Abilaliaj nuk arrin të shkojë më shumë se barazimi.
Në ndeshjen e sotme me Kukësin në transfertë ishin të gjitha mundësitë për fitore, pasi në minutën e 101-të të kuqtë fituan një penallti, që u shpërdorua nga Murataj. Mesfushori e përplasi topin në traversë dhe ndeshja u mbyll në barazim, 1-1. Ishte barazimi i 6-të radhazi për Partizanin, që humbet kështu të tjera pikë. Për momentin është 5 pikë pas Egnatias.
Penalltia e dhënë në favor të Partizanit me VAR në kohën shtesë ka shkaktuar një irritim të madh në radhët e tifozëve kuksianë. Disa prej tyre u futën në fushë për të protestuar dhe më pas u larguan nga policia.
Dy golat e ndeshjes u shënuan në 10 minutat e fundit. Beshiraj përfitoi nga një rrëmujë në zonën e Partizani dhe dërgoi topin në rrjetë, por vetëm pas dy minutash Mensah barazoi, duke realizuar me kokë. Edhe për Kukësin ky ishte barazimi i 4-t radhazi në kampionat, që e lë këtë skuadër në zonën e rrezikut të rënies nga kategoria.
Egnatia mundi 1-2 Dinamon në stadiumin ‘Niko Dovana’. Rrogozhinasit kaluan në avantazh me Zejnullain në pjesën e parë. Zabërgja barazoi në të dytën për Dinamon, por 10 minuta para fundit Isgandarli realizoi golin e fitores për kryesuesit e klasifikimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.