Futboll

Partizani luan sot ndeshjen e prapambetur me Teutën, bonus për t’iu afruar Egnatias

Gazeta Si – Më në fund, Partizani do ta luajë sot ndeshjen e prapambetur me Teutën. Një ndeshje e shtyrë kjo që nga java e parë e kampionatit për shkak të impenjimit të ekipit të kuq në kupat e Europës në atë kohë.

Dy skuadrat ndodhen aktualisht thuajse në ekstremet e renditjes. Partizani mban vendin e dytë me 29 pikë, kurse Teuta është e fundit, me 13 pikë dhe një krizë të thellë rezultatesh. Ndeshja e sotme ka rëndësi të veçantë, sidomos për kampionët në fuqi, pasi kanë krijuar një distancë prej 4 pikësh me vendin e parë.

Nëse fitojnë sot me Teutën, kryeqytetasit do t’i afroheshin me 1 pikë Egnatias kryesuese, duke rritur presionin te kjo e fundit. Prandaj dhe ky 90-minutësh konsiderohet një lloj bonusi për të kuqtë. Trajneri Abilaliaj foli me besim në konferencë shtypi, ndërkohë që përmendi sërish gjykimin e derbit me Tiranën, ku Partizanit i mungon një penallti.

Kampionët në fuqi vijnë në këtë ndeshje pas tri barazimesh radhazi, kurse Teuta ka javë të tëra që nuk fiton. Në fundjavë skuadrat do të jenë sërish në fushë për javën e 16-të të Superiores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë