Futboll

Partizani largon zyrtarisht Sormanin, drejtimi i besohet Kalarit

Një tjetër bashkëpunim me një staf italian është mbyllur me fund të hidhur te Partizani. Trajneri Adolfo Sormani dhe ndihmësit e tij janë larguar zyrtarisht nga klubi i kuq, sipas njoftimit të publikuar në faqen e Partizanit. Ishte një vendim i pritshëm pas asaj që ndodhi në derbin me Tiranën, ku trajneri Sormani nuk u ul në stol me pretendimin se kishte frikë se infektohej nga Covid-19, duke qenë se disa lojtarë të ekipit ishin prekur nga virusi.

Në fakt, largimi i trajnerit italian ishte bërë gati kohë më parë. Rezultatet ishin shumë larg pritshmërive, eliminim nga Kupa e Shqipërisë dhe vend i 6-të në kampionat, çka do të thotë se të kuqtë rrezikojnë shumë seriozisht pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Sormani u prezantua te Partizani në janar të këtij viti. Presidenti Demi e vlerësonte shumë Sormanin që nga periudha e parë që ai drejtoi të kuqtë, ndaj dhe ishte ai që këmbënguli për të pas largimit të italianit tjetër Franko Lerda. Këtë herë edhe Sormani ka zhgënjyer, duke i vënë “vulën” bashkëpunimit të pasuksesshëm me italianët.

Sormani dhe Kalari gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 13 korrik 2020

Në tri javët e mbetura të kampionatit skuadra do të drejtohet nga ndihmëstrajneri Reinaldo Kalari, i cili “debutoi” me barazimin në derbin me Tiranën. Në stol për ndeshjen e fundit ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, i cili prej kohësh ka qenë pro largimit të Sormanit.

Njoftimi i klubit të kuq
FK Partizani njofton sot ndërprerjen me efekt të menjehershëm të bashkëpunimit me trajnerin Adolfo Sormani dhe dy pjestarët e stafit Giovanni Mazzella dhe Gabriele Façia. Klubi 16-të herë kampion i Shqipërisë në tre ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, do të drejtohet nga zv.traineri ekipit Renaldo Kalari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë