Një gol i mbrojtësit Enea Bitri gjatë pjesës së dytë i ka dhënë Partizanit fitoren ndaj Vllaznisë. Kampionët vinin nga tri humbje radhazi dhe e kishin të domosdoshëm këtë trepikësh. Skuadra e kuqe është drejtuar edhe në këtë ndeshje nga Reinaldo Kalari, pasi drejtuesi e klubit nuk kanë vendosur ende për trajnerin e ri, që do të zëvendësojë Franko Lerdën e larguar pas derbit. Partizani ngjitet në kuotën e 28 pikëve dhe mban vendin e katërt për momentin.
Kukësi ia ka dalë të ruajë vendin e parë, me 31 pikë, por në “Elbasan Arena” është ndalur në barazim nga Skënderbeu. Ishte Bruno Dita që shënoi i pari për korçarët në pjesën e parë, por Eduard Rroca barazoi në të dytën. Për 25 minuta Skënderbeu luajti me një lojtar më pak, pasi Asjon Daja u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro nuk mundi ta shfrytëzonte superioritetin numerik dhe në fund u mjaftua me një pikë. Një barazim që më shumë punë u bën korçarëve, edhe pse ata mbeten në zonën e rrezikshme të rënies.
Superiorja ul kështu siparin për 2019-ën, me Kukësin kampion dimri dhe me Tiranën e Partizanin rivalë në luftën për titullin kampion. Në vendet e para qëndron edhe Bylisi, surpriza e këtij kampionati, por duket e vështirë që kjo skuadër të rezistojë deri në fund.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.