Futboll

Shiu lejon vetëm 8 minuta lojë në Vlorë, talenti Muçi udhëheq Tiranën

Kushtet e këqija atmosferike kanë penguar edhe futbollin sot, në javën e 17-të të Superiores. Në Vlorë, Flamurtari dhe Teuta luajtën vetëm 8 minuta, sepse terreni i rënduar dhe reshjet e dendura të shiut e bënë të pamundur vazhdimin e ndeshjes. Zyrtarët e FSHF-së vendosën që kjo ndeshje të vazhdojë nesër në mesditë, në minutën që u ndërpre. Nuk është hera e parë që në Vlorë ndodh të shtyhet një ndeshje futbolli për shkak të kushteve të papërshtatshme atmosferike. Stadiumi “Flamurtari” në këtë periudhë të vitit vuan shumë nga shirat.

Tirana vazhdon të konfirmojë momentin e mirë që pas fitores në derbin me Partizanin. Bardheblutë kanë fituar sot në fushën e vështirë të Laçit, me rezultatin 1-2. Njeriu i ndeshjes ka qenë sulmuesi i Kombëtares U-19, Ernest Muçi, autori i dy golave për Tiranën, që përmbysi avantazhin e përkohshëm të Laçit. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri i përkohshëm Emanuel Egbo, ngjitet në kuotën e 28 pikëve, duke qenë pranë kreut. Në ndeshjen tjetër të javës së 17-të të Superiores, të luajtur në orën 13:00, Bylisi ka mundur 1-0 Luftëtarin.

Tirana feston fitoren në Laç. Gazeta Si, 22 dhjetor 2019

Për shkak të motit të keq janë shtyrë edhe disa ndeshje të Kategorisë së Dytë, Përmeti-Gramozi dhe Këlcyra-Delvina, por edhe shumë ndeshjeve të kampionateve të moshave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë