Futboll

Partizani kërkon vendin e dytë në “Air Albania”, Daja ndryshon sulmin

Pas dy barazimeve radhazi pa gola, Partizani duhet të kalojë ngërçin e sulmit dhe të fitojë sot ndaj Bylisit për të marrë vendin e dytë në klasifikim. Ndeshja do të zhvillohet në “Air Albania Stadium” dhe është një mundësi shumë e mirë që të kuqtë të barazojnë Vllazninë me pikë (47) dhe të jenë vetëm 2 pikë pas Teutës kryesuese. Ndoshta edhe ndryshimi i stadiumit mund t’u sjellë fat kryeqytetasve.

Gjatë javës trajneri Ilir Daja ka punuar më shumë me sulmin, madje ai ka menduar të bëjë ndryshime në këtë repart për të zgjidhur problemin e golit. Pritet që të luajë titullar Ferhan Hasani, një nga blerjet e mëdha të janarit dhe një lojtar që i jep më shumë fantazi sulmit. Ai është një lojtar që vertikalizon mirë dhe që jep pasimin e fundit për sulmuesit.

Ferhan Hasani (në mes) pritet titullar sot ndaj Bylisit. Gazeta Si, 11 prill 2021

Në majë të sulmit të Partizanit mund të jetë sot braziliani Stenio Zhunior, që kthehet nga një dëmtim, por ai është në balotazh me Çinarin. Pjesa tjetër e skuadrës do të jetë ajo e javëve të fundit, me Bardhin që tashmë ka zënë një vend stabël në mesfushën e kuqe.

Në anën tjetër, Bylisi vjen në këtë transfertë me pretendimin për të marrë pikë mbijetese dhe barazimi do të ishte një rezultat i mirë për të. Ballshiotët kanë mungesa të rëndësishme, por janë një skuadër që nuk mund të nënvlerësohet asnjëherë.

Java e 27-të
Të shtunën
Kastrioti-Kukësi 0-3
Skënderbeu-Tirana 0-0
Laçi-Vllaznia 0-0
Apolonia-Teuta 0-2
Sot, ora 16:00
Partizani-Bylis


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë