Futboll

Partizani i bën qejfin Dajës, Tirana e Dedes zhytet në krizë

Më shumë gola kërkoi trajneri Ilir Daja në konferencë shtypi, më shumë gola realizuan të tijtë në Fier. Partizani fitoi 0-3 në fushën e Apolonisë, duke nisur ngjitjen drejt kreut. Për skuadrën kryeqytetase ndoshta ishte më e lehtë nga sa u mendua kjo transferrë. Mbrojtësi Bitri i hapi rrugën fitores së kuqe, që u kompletua në pjesën e dytë me golat e Bardhit dhe Idrizajt. Partizani shkon në kuotën e 7 pikëve, ndërkohë që skuadra ka nisur të funksionojë më mirë.

Zhgënjim total Tirana e Nevil Dedes, të cilit i duhet të presë akoma për t’iu gëzuar një fitoreje në krye të stolit bardheblu. Tirana nuk mundi të shënonte dhe për rrjedhojë as të fitonte ndaj Bylisit në “Selman Stërmasi”. Ndoshta ekipi kampion në fuqi gaboi me largimin e Emanuel Egbo vetëm pas dy javësh kampionat dhe tani po vuan pasojat.

Nga ndeshja Tirana-Bylis, 0-0. Gazeta Si, 25 nëntor 2020

Tirana ka mbetur në kuotën e 4 pikëve, por ç’është më e keqja, skuadra nuk luan si duhet. Derbi me Partizanin po afron dhe bardheblutë duhet të reagojnë sa më parë të jetë e mundur për të mos marrë ndonjë tjetër goditje fatale. Skuadra e këtij sezoni duket se nuk ka asnjë lidhje me atë që u shpall kampione sezonin që shkoi, ndërsa ardhja e Dedes në stol nuk ka përmirësuar asgjë. Në dy ndeshje ish-kapiteni bardheblu ka marrë vetëm 1 pikë.

Surprizën e ka bërë sot Kastrioti, që ka fituar 1-2 në fushën e Skënderbeut. Një rezultat i papritur, pasi korçarët konsideroheshin favoritë, por ata kanë bërë hapin e dytë fals në fushën e tyre, ku më parë janë mundur edhe nga Vllaznia. Krutanët renditen të dytët për momentin, me 8 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë