Futboll

Partizani humb në Durrës, Egnatia në Korçë. Formula e re ka venitur garën për kreun

Gazeta Si – Egnatia që ende kryeson renditjen e Superiores, është mundur 2-0 sot nga Skënderbeu në Korçë. Partizani jo vetëm nuk ka përfituar, por është mundur gjithashtu në Durrës nga Teuta, me rezultatin 1-0.

Rrogozhinasit në fakt kanë kohë që e kanë hequr ‘këmbën nga gazi’. Në 5 javët e fundit Egnatia ka 2 humbje dhe 3 barazime, vazhdon të mbajë kreun, por kjo pak rëndësi ka. Trajneri Tetova e ka thënë qartë se sezoni vendoset në maj, kështu që renditja për momentin nuk e shqetëson aspak.

Janë pasojat e formulës së aplikuar për herë të parë këtë sezon në Superiore, ku titulli vendoset me të ashtuquajturin “Final 4”. Pra, mjafton të jesh në katërshe, edhe pse dy vendet e para kanë avantazhin që shkojnë në finale edhe me barazim.

Një formulë kjo që ka venitur vullnetin dhe egon e skuadrave për të ngulmuar fort për vendin e parë. Kampionë mund të dalin edhe me vendin e dytë, tretë apo të katërt, nëse fitojnë në “Final 4”.

Frenklin ishte autori i 2 golave për Skënderbeun sot ndaj Egnatias. Falë dopietës së afrikanit, korçarët mbajnë vendin e 4-t. Në Durrës, Teuta mposhti Partizanin me një eurogol të Ergys Peposhit. Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Erzeni dhe Laçi barazuan pa gola.

Vllaznia, që luan nesër në Kukës, ka mundësinë të marrë vendin e parë, por varet sa dëshirë do të ketë edhe ajo. Java e 28-të e Superiores mbyllet me derbin Tirana-Dinamo, që janë gjithashtu në garë për 4-shen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë