Futboll

Partizani fokusohet te Liga e Konferencës, Valmieran e pret në ‘Elbasan Arena’

Gazeta Si – Partizani është e vetmja skuadër e Superiores që vazhdon rrugëtimin europian dhe të enjten synon të kalojë turin e 3-të të Ligës së Konferencës për të shkuar në fazën e ‘Play-off’-it. Për këtë arsye të kuqtë kaluan në plan të dytë edhe miqësoren e luksit me Romën, ku luajtën lojtarët e stolit, me titullarët vetëm 30 minuta në fushë.

Cara shenon me penallti ndaj Romes. Gazeta Si, 14 gusht 2023

Ndeshja e radhës për ekipin e trajnerit Zekiç është ajo e së enjtes me letonezët e Valmieras. Ndeshja e parë në Riga ka përfunduar me fitoren e kampionëve të Shqipërisë, 1-2. Një rezultat që e bën më të lehtë kualifikimin për Partizanin, por gjithsesi nuk ka vend për nënvlerësim.

Partizani nuk do të luajë në ‘Air Albania’ këtë herë, por në ‘Elbasan Arena’. Megjithatë, edhe në Elbasan pritet që tifozët e kuqtë të jenë të shumtë në numër për të mbështetur skuadrën e tyre të kalojë turin.

Në ‘Play-off’ kryeqytetasit do të ndeshen me humbësin e çiftit Astana-Ludogorets. Në letër Partizani ka shanse reale për të shkuar edhe në grupet e Ligës së Konferencës, edhe pse dy skuadrat e përmendura më sipër janë të një niveli të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë