Futboll

Partizani firmos me Mustën. Bitri i larguari i radhës, Bardhi në “ajër”

Pas përfundimit të kampionatit, nga Partizani ka pasur largime të rëndësishme lojtarësh. Sulmuesit Erald Çinari dhe Jasir Asani nuk janë më pjesë e të kuqve, ata kanë kaluar në kampionate të huaja. Çinari ka firmosur në Turqi, kurse Asani në Hungari.

Largimi i radhës nga skuadra e trajnerit Ilir Daja, që po përgatitet për ndeshjet e Ligës së Konferencës, ku do të përballet me një skuadër moldave, është mbrojtësi beratas, Eneo Bitri. Titullari i të kuqve në sezonet e fundit, ashtu si Çinari dhe Asani, është larguar me falënderime për klubin e kuq. Destinacioni i ri i Bitrit nuk është bërë ende i ditur.

Në “ajër” është një tjetër titullar me peshë i Partizanit, Jurgen Bardhi. Ai nuk ndodhet me skuadrën në Ohër, pasi nuk ka gjetur ende gjuhën e përbashkët me drejtuesit për vazhdimin e bashkëpunimit dhe nuk është çudi që edhe mesfushori-sulmues të largohet.

Musta prezantohet te Partizani. Gazeta Si, 15 qershor 2021

Partizani ka zyrtarizuar sot afrimin e parë ndërkohë. Bëhet fjalë për Emiljano Mustën, që luan në pozicion e mbrojtësit dhe mesfushorti të majtë. Elbasanasi ka qenë edhe më parë pjesë e të kuqve, kështu që kemi të bëjmë me një rikthim. Musta ka luajtur edhe për Teutën, Flamurtarin, Kukësin dhe së fundi ishte pjesë e Laçit. Lojtari 29-vjeçar ka firmosur për 2 vjet me Partizanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë