Futboll

Partizani e lëshon Zekiç për 100 mijë euro, Shehi kandidat për të drejtuar ‘demat’

Gazeta Si – Pritet një vendim përfundimtar nga Partizani për të lejuar rikthimin e trajnerit kroat Zoran Zekiç në vendin e tij. Osijeku e kërkon, por kontrata me klubin shqiptar e pengon. Në një situatë të tillë zgjidhja vjen me 100 mijë euro, që kroatët duket se janë të gatshëm t’i paguajnë.

‘Partizani dhe Demi do të mbeten në zemrën time”, - tha trajneri Zekiç pas ndeshjes me Kukësin, ku skuadra e tij fitoi 4-3. Ai e bëri të qartë vullnetin për t’u larguar nga Partizani, por gjithçka e ka në dorë klubi i kuq. Me shifrën e përmendur më lart, presidenti Demi do të jepte miratimin për të lënë të lirë trajnerin dhe kështu pritet të ndodhë.

Kush do ta pasojë kroatin në stolin e Partizanit? Deri në këtë moment është përmendur emri i Orges Shehit, por ky i fundit ka pohuar se nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e këtij ekipi, aq më tepër që Tirana pretendon se e ka pezulluar dhe se do t’i qëndrojë kontratës që kanë palët.

Orges Shehi ka qenë portier i Partizanit gjatë karrierës së tij, madje i është afruar shumë titullit kampion me këtë ekip, por në ndeshjen e fundit trofeun e rrëmbeu Dinamo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë