Politike

Partitë e reja, Kryemadhi: Skemë e vjetër, Basha nuk i ka problem

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk e sheh si pengese krijimin e do partive të djathta, pak muaj para zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Kodi i ri partitë e reja i bën inekzistente, jo vetëm që ua bën të pamundur përfshirjen në politikë, por i penalizon pa filluar akoma punë.

Ndërsa me kodin e vjetër partitë e reja do të kishin mundësinë qoftë edhe individë të përfshiheshin në proces zgjedhor dhe të kishin mundësinë e vendimmarrjes nesër, pasnesër në parlamentin shqiptar.

Një nga problemet që është ngritur edhe përsa i përket analizimit të kodit zgjedhor, 81 faqe të kthimit mbrapsht të dekretit të Presidentit, të jem i sinqertë nuk i lexova të 81 faqet, është që kodi i ri u heq të drejtën partive të reja apo individëve të pavarur për të qenë pjesë e parlamentit shqiptar.

Nga ana tjetër me kodin e ri, përfshirja e këtyre strukturave, individëve apo partive të reja e bën më të kollajshme qoftë edhe për të mos qenë pjesë e koalicionit me opozitën”, tha ajo.

“Çfarëdo që të ndodhë, - vijoi Kryemadhi, - nëse krijimi i partive të reja do të jetë taktikë e zotit Rama me individë të caktuar për të krijuar një lloj iluzioni të tillë them që impakti do të jetë zero”.

Kryemadhi solli si shembull G99 e drejtuar dikur nga Erion Veliaj.

“Të gjithë e mbani mend G99 e famshme në 2009 e cila jo vetëm u krijua por u subvencionua dhe me para ndërkombëtare për të dëmtuar LSI dhe përkundrazi dëmtimi nuk ishte as 0.99% të votave...

Propabiliteti ishte që të votonin për PS, tani do të votojnë për partinë e re.  Do të ndodhë njësoj si me G99 që mori votat e PS. Është skemë e vjetër, zanat i vjetër. E shoh si humbje kohe dhe menaxhim inatesh dhe pakënaqësish të individëve të caktuar që nuk sjell ndonjë problem, kërkon një shfokusim të vëmendjes. Basha nuk e ka problem fare, ecën  me planin dhe strategjinë e vet”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë