Bota

Parlamenti i Turqisë zhbllokon procedurën e pranimit të Suedisë në NATO

Gazeta Si - Ankaraja, pjesëtare e Aleancës, ka vonuar ratifikimin e kërkesës, duke e akuzuar Stokholmin se është treguar shumë i butë me grupet, që turqit i konsiderojnë terroriste.

Në Turqi, komisioni për punët e jashtme në Parlament ka dhënë miratimin e kërkesës së Suedisë për të aderuar në NATO. Protokolli i anëtarësimit tani duhet të aprovohet në Asamblenë e përgjithshme. Ankaraja e ka vonuar ratifikimin e kërkesës së Suedisë për më shumë se një vit.

Turqia e ka akuzuar vendin nordik se ka mbajtur qëndrim shumë të butë ndaj atyre grupeve, që Ankaraja i ka konsideruar si kërcënime për sigurinë e saj, duke përfshirë edhe militantët kurdë.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, në fillim të këtij muaji ngriti një tjetër pengesë, duke e lidhur hapur ratifikimin e pranimit të Suedisë me aprovimin nga Kongresi i SHBA-ve të një kërkese të Turqisë për të blerë 40 avionë të rinj luftarakë F-16, për të modernizuar flotën ekzistuese. Shtëpia e Bardhë e ka mbështetur kërkesën e Turqisë, por në Kongres ka kundërshtime të forta për shitjen e pajisjeve ushtarake Turqisë.

Suedia dhe Finlanda kanë braktisur pozicionet e tyre tradicionale të mospërfshirjes ushtarake, duke kërkuar mbrojtje nën ombrellën e NATO-s, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të 2022-shit. Finlanda iu bashkua aleancës në prill, duke u bërë anëtari i 31-të i NATO-s.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur votën e parlamentit turk për pranimin e Suedisë në Aleancën atlantike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë