Ne rrjet

Parlamenti grek, ligj për punëtorët sezonalë shqiptarë

Mungesa e punëtorëve sezonalë që shkojnë në Greqi për të mbledhur qershi dhe pjeshkë duket se do ta detyrojë parlamentin e shtetit fqinj të miratojë një ligj të posaçëm për të zgjidhur këtë ngërç që është krijuar atje. Këtë e ka pohuar në një program radiofonik vetë Ministri i Zhvillimit Rural në Greqi, Makis Voritis.

“Brenda javës do të dorëzojmë një ligj në Parlament në mënyrë që çështja e fermerëve sezonalë nga Shqipëria që punojnë në Greqi, të marrë një zgjidhje. Me garanci shëndetësore do të kemi numrin e punëtorëve që na duhen, në mënyrë që të mos ketë ndonjë çrregullim, sidomos për produktet e prodhuara në maj dhe qershor si qershia dhe pjeshka”, u shpreh Voritis.

Ministri është shprehur në mediat greke për këtë çeshtje që në 22 prill. Në të njëjtën ditë, kryeministri Rama u shpreh se po bisedohej me palën greke për të gjetur një zgjidhje.

Sakaq, orët e fundit prodhuesit grekë bënë thirrje për hyrjen e 7 mijë punëtorëve shqiptarë në vendin e tyre, pasi pemët nuk presin. Ata thonë se në fillim të majit, punimet në fusha do të duhet të fillojnë, përndryshe do të humbasin prodhimet. Përfaqësues të shoqatave të agrobisnesit shprehen se 90% e punëtorëve në fushat greke vijnë nga Shqipëria dhe paguhen mesatatarisht me 30 euro në ditë.

Prodhuesit sugjerojnë që punëtorët të transportohen me autobus, ku t’iu nënshtrohen testeve për koronavirus dhe më tej të kontrollohen sërish në spitalet e Verias dhe Edesës, ku janë edhe fushat ku ka më tepër nevojë për punëtorë.

Disa mijëra punëtorë sezonalë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit u larguan në masë nga Greqia në fillim të marsit dhe nuk janë në gjendje të kthehen për shkak të bllokimit të kufijve prej pandemisë së koronavirusit.
Në Prefekturat e Imathias dhe Pellas ku kultivohen sasi të mëdha pjeshkësh dhe frutash të tjerë, raportimet e mjeteve kryesore greke të informimit flasin se kërkesat për fuqi punëtore do të jenë të mëdha gjatë muajit maj dhe qershor.
Vlerësimet vendore në të dy prefekturat tregojnë se, si edhe vitet e tjera, do të duhen më shumë se 10 mijë punëtorë këtë vit, shumica dërrmuese e të cilëve janë të huaj. Prefekti i rajonit grek të Maqedonisë Perëndimore Jorgo Kasapidis i kërkoi përmes një letre ndihmë qeverisë greke.
Prefekti vlerëson se “riatdhesimi i punëtorëve nga vendet e Ballkanit dhe pamundësia e atyre që kanë mbetur në Greqi për t’u transferuar në zonat ku ka nevojë për punëtorë sezonalë janë çështje kritike. “
Mbështetja e menjëhershme për sektorin parësor është jashtëzakonisht e rëndësishme, prodhimi bujqësor dhe blegtoral i këtij viti është më i rëndësishëm se çdo vit tjetër, vlerëson prefekti rajonit.
Sipas tij shumë aktivitete të kultivuesve tashmë kanë filluar me kërkimin e punëtorëve, por pa rezultate nga fermerët e Maqedonisë Perëndimore. Prefekti ka propozuar si zgjidhje për situatën sigurimin e lëvizjes ndërkufitare dhe ndër-rajonale të punëtorëve pas një ekzaminimi mjekësor dhe zgjatje të lejes së qëndrimit nga 6 në 12 muaj, si dhe thjeshtimin e procedurave për dhënien e lejes për punë sezonale.
Të enjten Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri grek Qiriakos Micotaqis zhvilluan një bisedë telefonike të përbashkët ku sipas burimeve zyrtare është trajtuar edhe bashkëpunimi për punësimin sezonal.
Por të dy vendet nuk kanë hedhur ende hapa konkrete për lëvizjen e fuqisë punëtore nga Shqipëria drejt Greqisë. Dhjetëra punëtorë sezonalë shqiptarë që u kthyen fillimin e muajit prill nga pikat kufitare me Greqinë janë karantinuar në hotelet në Korcë dhe në Gjirokastër, për një periudhë 14 ditore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë