Politike

Parlamenti Europian sot deklaratë për situatën në Shqipëri

Pas vizitës në Tiranë, delegacioni i Parlamentit Europian do të raportojë ditën e sotme në Bruksel për situatën politike dhe ecurinë e reformave në vendin tonë.

Shtatë eurodeputetët kanë theksuar paraprakisht ditën e djeshme se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë demonstruar angazhimin e tyre ndaj reformave të lidhura me BE dhe se kanë kryer reforma në kushte mjaft të vështira.

Ata i kanë bërë thirrje PE-së të hapë negociatat në qershor me Tiranën dhe Shkupi zyrtar, por sipas mediave atmosfera në Bruksel nuk pritet të jetë shumë pozitive për shkak të krizës politike në Shqipëri. Mbledhja pritet të drejtohet nga David McAllister, njeriu i Merkelit që ndërmjetësoi edhe krizën mes opozitës dhe qeverisë në vitin 2017. Zëdhënësi i CDU-së, partisë së Angela Merkel, në një intervistë dhënë dënoi aktin e opozitës, e cilësoi atë një gabim të rëndë dhe u bëri thirrje kandidatëve pasues në lista që të mos refuzojnë marrjen e mandatit.

Viti 2019 është një vit kyç për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi në qershor vendet anëtare të BE do të marrin një vendim për të hapur negociatat e pranimit.

Gjatë vizitës së tyre në Tiranë, eurodeputetët u takuan me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe kryeministrin dhe opozitën. Pas vizitës, delegacioni i PE i ka bërë thirrje Shkupit dhe Tiranës që të mos humbin kohë dhe të mbajnë fokusin tek reformat e vazhdueshme gjyqësore, ekonomike, të sundimit të ligjit dhe të administratës publike. Përballë murit të ngritur nga opozita, eurodeputetët thanë se ky Parlament duhet të vazhdojë punën dhe ashtu si zëdhënësi i CDU-së gjermane Florian Hahn, u bënë thirrje kandidatëve zëvendësues që të mos refuzojnë mandatet.

Ndërkohë, Tunne Kelam, kryesuesi i këtij delegacioni theksoi edhe njëherë se Parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme. “Mendoj që përqëndrimi te ideja e një qeverie të përkohshme do të dëmtonte përqendrimin që duhet të keni për hapjen e negociatave. Përgatitja për qershorin do të thotë pajtim dhe unitet kombëtar dhe, siç e thashë, kjo është detyra juaj”, deklaroi ai.

Ndërkohë në takimet me drejtuesit opozitarë, Knut Fleckenstein ishte larguar me shije të hidhur sidomos nga deklarata e Monika Kryemadhit. “Jam zhgënjyer shumë veçanërisht nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila na tha që opozita e ka marrë vendimin dhe nuk ka kthim pas. Presim që deputetët të bëjnë punën e tyre dhe të kthehen në Parlament. Edhe sikur opozita të ketë të drejtë, plotësisht të drejtë, për akuzat, bojkotimi nuk zgjidh asgjë”, tha Fleckenstein.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë