Treg

Parku Fotovoltaik i Karavastasë 100 mln euro, çelet gara për ankandin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije sot çeljen e garës ndërkombëtare për projektin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në Divjakë për të prodhuar energji të rinovuueshme.

Investimi për këtë park me një kapacitet të instaluar prej 140 MW do të jetë 100 mln euro dhe do të vendoset në një hapësirë prej 198 hektarësh në bashkitë Fier dhe Divjakë.

Kontrata do të jetë për 15 vite.

“Çmimi i vendosur është 55 euro për mega vat. Ky nuk është një tender, por një ankand. Çmimi i vendosur është çmimi tavan. Çmimi është nxjerrë nga metodologjia e përdorur edhe në 2018-ën. Çmimi i rregulluar do blihet nga OSHEE. Do të jetë një paketë e plotë. Kushtet mjedisore do të jenë prioritet sepse ndodhet në një zonë kritike, në Lagunën e Karavastasë, por jashtë Zonës së Mbrojtur. Kemi punuar shumë për këtë, ka qenë këkrkesë e BERZH dhe investitorëve të huaj. Kjo është një paketë model përsa i përket standardeve dhe kritereve e cila mban kontratën e zhvillimit dhe blerjes së energjisë e këto të njësuara me standardet e praktikat më të mira”- tha ministrja Balluku duke shtuar se nuk do të ketë një fazë negocimi mes OSHEE dhe fituesit, por kontrata do të jetë pjesë e dokumentacionit të këtij ankandi dhe është e parandërtuar. Gjithahstu ministrja bëri me dije se javën e kaluar Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit.

Balluku tha se pritet që kontrata të nënshkruhet  në 8 maj 2020 duke lënë në dispozicion 54 ditë për aplikuar dhe studiuar terrenin.

Ministrja bëri me dije se ka shumë interes për këtë vepër  e do të ketë shumë konkurrencë.

Po ashtu ajo njoftoi se brenda vitit do të shpallen tenderat edhe për Thumanë -Rrogozhinë e tunelin e Llogorasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë