Bota

Paris, kryepeshkopi jep dorëheqjen për një histori të mundshme dashurie

Kryepeshkopi i Parisit pranoi se kishte pasur "sjellje të paqartë me një grua" dhe për këtë arsye i paraqiti dorëheqjen Papës, i cili do të vendosë nëse do ta pranojë apo ta refuzojë atë.

Imzot Michel Aupetit, i cili ka qenë në krye të dioqezës më të rëndësishme të Francës që nga dhjetori 2017, i shkroi një letër Papës, pasi shtypi francez evokoi një marrëdhënie intime me një grua në vitin 2012, të cilën ai e mohoi.

E përjavshmja “Le Point”, tregoi për një episod të turpshëm që ndodhi në pranverën e vitit 2020, kur bashkëpunëtorët më të afërt të kryepeshkopit tashmë 70-vjeçar, mësuan për një ‘email’ që ai i dërgoi në shkurt 2012 gabimisht sekretares së tij dhe i cili ishte i destinuar në realitet për një grua tjetër.

Sipas burimeve të njëjta të cituara nga “Le Point”, kuptimi i ‘e-mailit” do të ishte i qartë dhe do të tregonte një marrëdhënie intime me atë grua. Një marrëdhënie midis dy të rriturve me pëlqim dhe për rrjedhojë pa ndonjë rëndësi kriminale, por në kundërshtim me detyrimin e beqarisë të parashikuar nga Kisha.

Nëse verifikohet një sjellje e tillë nga një prift i dioqezës së tij, kryepeshkopit do t'i kërkohet ta pezullojë atë. Nunci apostolik në Paris, Celestino Migliore, do të ishte në dijeni të ‘emailit’ që nga maji 2020, kur një hetim i brendshëm iu besua paraardhësit të Aupetit, kardinalit André Vingt-Trois.

Kohët u përshpejtuan pas daljes së artikullit. Skandali i mundshëm u bë publik dhe kryepeshkopi i Parisit, një ish-mjek i njohur për qëndrimet e tij strikte për abortin, familjen dhe bioetikën, fillimisht shpjegoi qëndrimin e tij: “Kur isha famulltar i përgjithshëm, një grua u shfaq disa herë me mua me vizita dhe letra, deri në atë pikë sa ndonjëherë më duhej të mbaja një distancë mes të. Megjithatë, e kuptoj se sjellja ime ndaj saj mund të ketë qenë e paqartë, duke sugjeruar ekzistencën mes nesh të një marrëdhënieje intime dhe marrëdhënie seksuale, të cilat unë i mohoj me forcë”.

Më pas, vendimi për dorëheqje. "Fjala dorëheqje, megjithatë, nuk është ajo që përdora, - shpjegoi Aupetit për të përditshmen katolike ‘La Croix’. - Dorëheqja do të thotë se unë do të largohesha nga posti im. Në të vërtetë, postin unë e ktheva në duart e Atit të Shenjtë, sepse është ai që ma dha mua. E bëra për të ruajtur dioqezën, sepse si peshkop duhet të vihem në shërbim të unitetit”.

Historia e kryepeshkopit të Parisit vjen në një moment shumë delikat për Kishën e Francës, pak javë pas publikimit të një raporti që dokumenton rastet e rënda dhe të shumta të pedofilisë. Papa tani mund të marrë disa javë për të shqyrtuar të gjithë çështjen dhe më pas të marrë një vendim.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë