Bota

Paris, gruaja bërtet “Allahu Akbar” në stacionin e metrosë, policia e plagos me armë

Gazeta Si - Të martën në mëngjes, sipas raportimeve të mediave franceze, policia qëlloi një grua në stacionin Biblithèque François-Mitterrand të metrosë së Parisit.

Gruaja ishte tërësisht e mbuluar, shkruajnë gazetat “Le Figaro” dhe “Le Parisien”, e cila dyshohet se ka bërtitur "Allah Akbar", duke kërcënuar se do të "shpërthejë veten".

Policia hapi zjarr dhe gruaja u godit në bark. Aktualisht ajo ndodhet në spital, në gjendje stabile, por në rrezik për jetën.

Stacioni i metrosë u evakuua dhe u mbyll për publikun nga rreth orës 8:30 deri në orën 11:00.

Policia e Parisit ishte vënë në alarm se në stacion e Val de Marne, gruaja kishte kërcënuar me vdekje në tren, duke synuar pasagjerët e tjerë.

Pasi u izolua, raportoi zyra e prokurorit, gruaja "refuzoi t'i bindej urdhrave të policisë, duke kërcënuar se do të hidhej në erë".

Një nga oficerët më pas “ka përdorur armën e tij të zjarrit vetëm një herë”. E plagosur gruaja është transportuar në spital ku ndodhet e shtruar me një plagë në bark.

Nga hetimet e para, ajo nuk kishte me vete asnjë lëndë plasëse. Janë hapur dy hetime, një që i është besuar policisë për pistën e terrorizmit dhe kërcënimit me vdekje ndaj një zyrtari publik.

Ndërsa tjetri për përdorim të armës së zjarrit, i është besuar inspektorëve të mbikëqyrjes së brendshme të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë