Sport

Paris 2024/ Shënjestra e njëjtë, qitësi Martinez kualifikohet në Olimpiadë 60 vjeç!

Gazeta Si – Specialisti 60-vejçar i qitjes ishte 20 vjeç kur mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike të Los Anxheles në 1984-ën.

Në moshën 60-vjeçare, venezueliani Leonel Martinez e ka akoma shënjestrën ‘top’ dhe vullnetin të hekurt për të garuar. Pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Olimpiadë në disiplinën e qitjes në Los Angeles 1984, sportisti është kualifikuar për në Paris 2024 dhe po përgatitet për të qenë kompetitiv 40 vjet nga prania e fundit në Lojërat Olimpike.

"Nuk e marr në konsideratë moshën, sepse ndihem më mirë se kur isha 20 vjeç”, - ka thënë Martinez, që është sportisti i dytë me intervalin më të gjatë mes Lojërave Olimpike në histori. Vetëm japonezi Hiroshi Hoketsu ka pritur më shumë kohë për t’u kthyer në Olimpiadë. Ai kishte garuar për herë të parë në Tokio në 1964-ën, për t’u kthyer në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008.

Martinez nuk kishte në plan të priste kaq gjatë. Pasi përfundoi i 41-ti në Los Anxheles, Martinez donte të garonte në Olimpiadën e Seulit, në 1988-ën, por për arsye personale nuk arriti të kualifikohej. Ai e siguroi vendin e tij në Paris, pasi fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Panamerikane të Santiagos në Kili vitin e kaluar. Vetëm për një pikë humbi medaljen e arit ndaj Jean Pierre Brol, 41-vjeçarit nga Guatemala.

Martinez ka fituar medaljen e argjendit panamerikane në gjuajtjen me piatel, kur eventi u zhvillua në Karakas në 1983-shin, një vit para se të garonte në Olimpiadën e Los Anxhelesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë