Jete & Stil

Parfumi na bën të lumtur

Nick Carvell, gazetar dhe pedagog i dizajnit dhe modës në Kolegjin “Conde Nast” ka treguar se ditën e parë që do të jepte leksion online u vesh njësoj si kur shkonte në Kolegj.

“Është e kuptueshme që mbajtja e një leksioni për një grup studentësh që ju shikojnë online është po aq emocionuese sa të jesh në Kolegj kështu që bëra të gjitha gjërat që munda për të pasur sa më shum vetëbesim. Vesha këmishën e preferuar, rregullova flokët dhe në fund hodha parfumin e preferuar”, tregon Nick.

Ai kujton se në momentin që hodhi parfum mendoi diçka që nuk e kishte vënë re më parë. Njerëzit hedhin parfum kur dalin jashtë apo kur do të takojnë dikë dhe duam të lëmë një përshtypje të mirë por cfarë do të thotë hedhja e parfumit kur ke një leksion online? Sipas Nick, ne hedhim parfum për vete, jo për të tjerët.

“Ndërsa leksioni online vazhdonte, aroma u bë akoma më e rëndësishme për mua. I bllokuar në shtëpi, parfumin e shikoja si një shpëtim, liri! Këtu vendosa se duhej të kisha një mori parfumësh.” thotë Nick.

Ai shprehet se të kesh shumë parfumë është njësoj sikur rrobat. Njerëzit kanë nevojë të kenë rroba për ti veshur në situata të ndryshme dhe sidomos në gjendje të ndryshme shpirtërore.

“Unë kam pafund parfumë pasi shkruaj për aromat dhe njerëzit më bëjnë dhuratë parfumë por shumë nga ato nuk më pëlqejnë dhe kjo është njësoj sikur të veshësh një bluzë që nuk e do. Ndihesh keq dhe në siklet”, tha Nick.

Aftësia jonë për të nuhatur është më e vjetra dhe më e zhvilluara dhe hunda e njeriut përmban më shumë se 1000 receptorë të nuhatjes.

“Aromat gjithmonë kanë qenë të rëndësishme në lidhje me ndërveprimet njerëzore”, thotë Caroline Allen, një pedagoge e psikologjisë në Universitetin “Newcastle”.

Ajo thotë se erërat përmbajnë informacion të rëndësishëm në lidhje me rreziqet, të tilla si një ushqim i skaduar, apo dhe ndikon në emocionet e njerëzve dhe fakti që kemi një industri që ka ekzistuar që nga qytetërimet e hershme Greke dhe zgjedhim të shtojmë aromë në një gamë të gjerë të artikujve të përditshëm na tregon se sa e rëndësishme është aroma.

Nick tregon dhe se aromat gjithashtu na ndihmojnë të kemi ndjesi të ndryshme. Për shembull, kur Nick ishte në izolim, përdori aroma parfumi që i kujtonin Rivierën Italiane. Kështu ai ndihej i lumtur sa herë që hidhte atë parfum apo dhe ndonjë parfum që aroma e tij i kujtonte diçka.

Caroline tregon se nga ana psikologjike, të përdorësh një parfum që të pëlqen është njësoj si të veshësh rrobat që do. Lumturia që të merr kur ndjehesh mirë me veten është e rëndësishme për të rritur vetëbesimin dhe për të qenë më produktiv në punë apo kudo.

Burimi: The Guardian. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë